VMRO-DPMNE në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve lokale fitoi 33 kryetarë komunash, gjë që e bën fitues absolut, megjithëse është fakt se numri i votave është më i vogël krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. Por duhet theksuar se është rezultat shumë më i mirë sesa në zgjedhjet lokale të para katër viteve, kur në raundin e parë fitoi 22 komuna.
Kryeministri Mickoski iu drejtua opinionit pak para mesnate, ku tha se rezultatet janë triumf i popullit. Ai u ndal veçanërisht te raporti i rezultateve me LSDM-në, duke theksuar se kanë fituar në raundin e parë në disa komuna që ishin bastione të socialdemokratëve. Për BDI-në tha se “tema me ta është e mbyllur”, duke aluduar në deklaratat e tyre se këto zgjedhje janë referendum për zgjedhje të parakohshme.
“Diferenca është 2 me 1, diku 3 me 1, diku edhe shumë më e madhe. Kemi fitore në komuna ku LSDM kishte kryetarët e vet. Fituam bindshëm në raundin e parë në Strumicë. Ajo që është më e rëndësishme në këto zgjedhje është që politikat e etnocentrizmit, nacionalizmit dhe temat artificiale për shqiponja e lepuj, tema që janë të parëndësishme për qytetarët, janë mundur, dhe tani hapet çështja e reformave në opozitë”, tha Mickoski.
LSDM, nga ana tjetër, në raundin e parë fitoi vetëm tre vende të kryetarëve të komunave. Edhe më i rëndë është fakti që kandidatja e tyre për Shkup, Kaja Shukova, përfundoi në vendin e katërt pas Orce Gjorgjievskit nga VMRO-DPMNE, Amar Mecinoviqit nga Levica dhe Bashkim Bakiut nga VLEN. E njëjta situatë është edhe në Këshillin e Qytetit të Shkupit, ku janë të pestët sipas numrit të këshilltarëve. Kryetari i partisë, Venko Filipçe, nuk e fshehu që nuk është i kënaqur, por megjithatë u përpoq ta zbusë humbjen duke thënë se në disa komuna kanë pasur rritje të votave në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
“Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë fitoi në raundin e parë në tri komuna – Kriva Pallanka, Krivogashtani dhe Bogdanci. Ky rezultat mendoj se nuk është ai që të gjithë e dëshironim, megjithatë do të thoja se, duke pasur parasysh rrethanat, nuk është rezultat i keq, veçanërisht sepse jo kudo, por në një pjesë të mirë të komunave vërtet kemi rritje të numrit të votave krahasuar me vitin e kaluar, dhe kjo është dëshmi e konsolidimit që filloi muajt e fundit, vitin e kaluar, brenda partisë”, theksoi Filipçe.
Të dy kandidatët e ZNAM-it hyjnë në raundin e dytë për Kumanovën dhe Qendrën . Maksim Dimitrievski do të përballet me kandidatin e pavarur Goran Stojkovski, ndërsa Miroslav Labudoviq me kryetarin aktual Goran Gerasimovski.