“Pension aktiv” (Aktivrente) quhet modeli që miratoi qeveria gjermane javën e kaluar. Është një model, që lejon të fitosh para shtesë pa paguar taksa, pas daljes në pension.

Është menduar si ofertë për ata që duan të vazhdojnë të punojnë, pas arritjes së moshës së rregullt të pensionit. Ky model i ri pritet të hyjë në fuqi shumë shpejt, që më 1 janar 2026, ndaj diskutimi i projektligjit të qeverisë nisi që të enjten (16.10.2025) në Bundestag.

Modeli i “pensionit aktiv” ofron lehtësime tatimore, kur punëdhënësi dhe personi në moshën e pensionit bien dakord të vazhdojnë marrëdhënien e punësimit. Në projektligj shkruhet se lehtësimi tatimor “zbatohet pavarësisht nëse tatimpaguesi e merr (tashmë) pensionin apo e shtyn marrjen e pensionit”.

Kufi për shumën e patatueshme

Pensionistët mund të marrin deri në 2 mijë euro shtesë në muaj, që nuk ka nevojë t’i taksojnë, kur vazhdojnë punën.

Për ta kuptuar më mirë: kur një pensionist fiton p.sh. 2 mijë e 500 euro bruto në muaj nga puna e tij, taksa, ai duhet të paguajë në të ardhmen, vetëm për 500 euro. Pjesa tjetër përjashtohet nga tatimi. Me fjalë të tjera: personat që kanë arritur moshën e pensionit mund të fitojnë deri 24 mijë euro në vit, të cilat nuk kanë nevojë t’i taksojnë.

Grupet që përfitojnë nga “pensioni aktiv”

Përfitojnë të gjitha ata, që duan të punojnë më gjatë se mosha e pensionit, gjë për të cilën bien dakord, si punonjësi, ashtu edhe punëdhënësi i tij. Pensioni aktiv nuk i jep një personi në moshën e pensionit pretendimin ligjor për punësim të mëtejshëm, i ofron vetëm lehtësi tatimore.

Përsa u përket shifrave të përfituesve: Ministria gjermane e Financave pret që të ketë rreth 168 mijë aplikues të rinj në vit, që mund ta pranojnë ofertën. Kjo është e barabartë me rreth një në katër përfitues.

Në aspektin fiskal, qeveria është e interesuar që të përqafohet ky model, pasi në këtë rast do të paguanin kontribute sociale si punëdhënësi, ashtu edhe punonjësi. Kontribute për arkën e sigurimeve shëndetësore dhe të përkujdesjes do të paguanin në këtë rasti punëdhënësi edhe punëmarrësi. Kurse kontributet për arkën e pensioneve dhe të papunësisë do t’i paguante vetëm punëdhënësi.

Grupet që përjashtohen nga “pensioni aktiv”

Nga “pensioni aktiv” nuk përfitojnë të vetëpunësuarit; nëpunësit civilë; përjashtohen edhe ata që kryejnë ato që quhen “mini-punë” (mini-Jobs), pra punë ku fitojnë më e shumta 556 Euro në muaj dhe maksimalisht 70 ditë në vit; përjashtohen edhe fermerët.

Në fakt, aktualisht, këto janë grupet që kanë tendencë të punojnë më gjatë. Qeveria Merz është në dijeni të këtij fakti. Prandaj pas dy vitesh pensioni aktiv do të rishqyrtohet si model.

Qeveria vlerëson se kostoja e kësaj mase do të jetë 890 milionë euro në vit, që nga hyrja e saj në fuqi më 1 janar 2026. Por po të llogarisim kontributet që do të paguheshin në arkat sociale, modeli mund të jetë me interes. Funksionimi i këtij modeli gjithsesi varet nga vendime vullnetare: si pensionisti duhet të ketë dëshirë të punojë, ashtu edhe punëdhënësi duhet ta mbështesë punësimin e mëtejshëm.

Arsyet e futjes së “pensionit aktiv”

Qeveria e kancelarit Merz synon të zbutë me këtë, në radhë të parë, mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar. Me ndryshimin demografik në Gjermani kjo mungesë po thellohet. Gjermania ndodhet para një sfide të madhe demografike: 4.8 milionë punonjës dalin në pension deri në vitin 2035. Janë kryesisht brezat e lindur nga mesi i viteve 1950 deri në fund të viteve 1960, periudhë së cilës në Gjermani i referohen si periudhë e “baby-boomer”. Ishte një periudhë me numër të lartë lindjesh në Gjermani.

Dalja në pension e një numri kaq të madh njerëzish rëndon sistemet shëndetësore dhe sociale, pasi gjithnjë më shumë më të rinj të punësuar duhet të kontribuojnë për më shumë pensionistë.

Mbështetja e pensionistëve, “pensioni aktiv” ishte edhe një premtim zgjedhor i kancelarit Merz për një grup të popullsisë, të moshuarit, që votën si tendencë ua japin partive konservatore. Me të qeveria sinjalizon se shoqëria vlerëson kontributin e të moshuarve, që vendosin të punojnë.

Reagime në Gjermani

Të enjten (16.10.2025) filloi në parlamentin federal, në Bundestag, diskutimi për paketën e pensioneve. Paketa pritet të miratohet para fundit të vitit që të hyjë në fuqi në 1 janar 2026. Megjithatë ka kundërshtime, sidomos nga deputetë të rinj konservatorë.

Reagimet fillestare në opinion janë të rezervuara. Kompania e sigurimeve të pensioneve p.sh. kujtoi kostot e masave, që sipas saj nuk zgjidhin asnjë problem. Ajo tha se shumë prej pensionistëve ndalojnë së punuari për arsye shëndetësore; ndalojnë nga kushtet e punës; ose sepse punëdhënësi nuk i do më.

Por qeveria kujton se pensioni aktiv është vetëm një pjesë e paketës për pensionet. Përveç pensionit aktiv, qeveria do të miratojë një ligj për stabilizimin e pensioneve. Me të do të ruhet qëndrueshmëria e pensioneve deri në vitin 2031: niveli i pensioneve, që pasqyron raportin midis pensioneve dhe pagave, do të mbetet në 48%. /DW