Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, ka thënë se Hamasi po i përmbahet armëpushimit, ndërsa Izraeli po përpiqet ta shkelë atë.
“Hamasi ka qenë i përpiktë në respektimin e marrëveshjes të armëpushimit në Gaza, ndërsa Izraeli duket se po kërkon një justifikim për ta shkelur atë dhe për të rifilluar masakrat e tij”, tha Erdogan.
Duke folur në Stamboll në forumin TRT World, versionin ndërkombëtar të televizionit shtetëror turk, Erdogan akuzoi përsëri Izraelin se po përdor “urinë” palestineze si armë dhe se po përpiqet të fshehë realitetin duke vrarë gazetarë në Rripin e Gazës.
“Armët bërthamore janë në Izrael, bombat më të fuqishme janë në Izrael. Izraeli ka aftësinë të godasë Gazën kurdoherë dhe si të dojë. Si mund të konsiderohet i pafajshëm?” shtoi udhëheqësi turk.

