Enkileda Carja, i dhuron Shqipërisë 3 medalje të arta europiane në peshën 63kg

Peshëngritësja shqiptare Enkileda Carja është shpallur kampione e Europës në peshën 63kg, të kategorisë junior. Një rezultat i jashtëzakonshëm i shtangistes kuqezi, që në pedanën e Durrësit shkëlqeu sërish me paraqitjen e saj.

Shtangistja shqiptare i realizoi me sukses të gjashtë provat e saj në këtë turne, duke dominuar në të dyja kategoritë, ku ishte absolute. Për pasojë, ajo mori 3 medalje të arta dhe vendosi rekorde të reja europiane në të dyja kategoritë.

Në shkëputje, Carja realizoi me sukses të trija provat, duke ngritur 95kg, 96kg dhe në fund 98kg. E njëjta situatë edhe në stilin e shtytjes, ku peshëngritësja shqiptar dominoi, pasi ishte e suksesshme në të trija provat me 113kg, 116kg e në fund me 118kg.

Për pasojë, Carja renditet e para në të trija kategoritë dhe gjithashtu në dygarësh me 216kg, ku mori medaljen e tretë të artë.  Vetëm 1 kg humbi mundësinë që të thyente rekordet edhe për U-20.

Trajnerja e saj, Eglantina Çuni, e cila e ka ndjekur hap pas hapi në çdo stërvitje, nuk i fsheh emocionet pas këtij suksesi historik. Ajo tregon se çdo medalje e Enkiledës është fryt i një pune titanike dhe i një përkushtimi që rrallë shihet në këtë moshë.

“Këto ishin arritje të pritshme nga ana jonë, sepse jemi stërvitur enkas për këto ditë. Enkileda e pati më të vështirë garën, sepse vajzat e tjera ishin 20 vjeçe, ndërsa ajo vetëm 17. Ka sakrifikuar shumë, edhe pse është ende e re. Vetëm fakti që në janar mbush 18 vjeçe e bën këtë sukses edhe më të madh. Ka zbritur nga pesha 64 në 63 kilogramë, në një kohë kur kundërshtaret e saj janë ngjitur dhe kanë pasur avantazh fizik. Por puna jonë dhe përkushtimi i saj e bënë diferencën”, tregon me krenari Çuni.

The post Enkileda Carja, i dhuron Shqipërisë 3 medalje të arta europiane në peshën 63kg appeared first on Alsat.