Ndeshja e futbollit mes Pobedës së Prilepit dhe Shkëndijës së Haraçinës, e cila përfundoi me rezultatin 0-1, u shoqërua me një incident pas përfundimit të saj.

Sipas raportimeve, një tifoz i Pobedës u zemërua dhe theu një xham pranë dhomave të zhveshjes ku ndodheshin tifozët e skuadrës mysafire. Policia ndërhyri menjëherë dhe e largoi tifozin nga vendngjarja.

Klubi i Pobedës reagoi zyrtarisht, duke thënë se incidenti nuk ishte faj i tifozëve vendas, por u shkaktua nga provokimet e lojtarëve të Shkëndijës së Haraçinës. Sipas klubit të Pobedës, pas përfundimit të ndeshjes disa futbollistë mysafirë kishin hedhur shishe me ujë drejt tribunës ku ndodheshin tifozët e Prilepit, çka shkaktoi reagime.

Pobeda theksoi se ndeshja ishte organizuar sipas të gjitha rregullave dhe masave të sigurisë, dhe se falë ndërhyrjes së shpejtë të sigurimit dhe policisë, situata u vu menjëherë nën kontroll.

Klubi nga Prilepi tha se mbetet i përkushtuar ndaj sportit dhe lojës së ndershme, dhe shpreson që incidente të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Federata e Futbollit e Maqedonisë dhe Komisioni Disiplinor pritet të shqyrtojnë ngjarjen dhe të marrin vendimin e tyre.

The post Pas Shkëndijës, edhe Pobeda e Prilepit del me reagim zyrtar për incidentin pas ndeshjes appeared first on Alsat.