“Jam thjesht një djalë i zakonshëm nga Liverpool-i, që e ka përmbushur ëndrrën e tij”. Kjo fjali, e shkruar mbi një mur pranë “Anfield”, kishte vite që simbolizonte krenarinë e qytetit. Ishte murali dedikuar për Trent Alexander-Arnold, djalin e lagjes West Derby që u rrit duke ëndërruar të vishte fanellën e Liverpool-it, dhe e bëri realitet. Por këtë mëngjes, në prag të përballjes së shumëpritur Liverpool–Real Madrid, murali është gjetur plotësisht i dëmtuar.

Figura e futbollistit, e pikturuar me kujdes në vitin 2019, është mbuluar me bojë të bardhë, mbi të është shkruar një mesazh i ashpër dhe i dhimbshëm: “Lamtumirë, miu”. Sulmi ka shkaktuar zemërim te banorët e zonës dhe trishtim tek tifozët që e kishin kthyer atë cep në një vend simbolik për adhuruesit e klubit. “Ky mural përfaqësonte më shumë se një lojtar, përfaqësonte një histori përkushtimi dhe dashurie ndaj klubit”, – tha një banor për ‘MARCA”.

Sipas dëshmitarëve, gjithçka ndodhi mbrëmë rreth orës 23:00, kur disa persona erdhën me bidona boje dhe vandalizuan murin. “Një gjë e tillë nuk ndodh zakonisht, është për të ardhur keq dhe të tremb pak”, – treguan pronarët e shtëpisë ku ndodhet murali. Rreth orës 11:00 të mëngjesit, punëtorët e parë nisën restaurimin për ta rikthyer muralin në gjendjen e tij origjinale. Murali ishte krijuar në vitin 2019 nga grupi i tifozëve “The Anfield Wrap” për të festuar triumfin e Liverpool-it në Champions League kundër Tottenhamit në Madrid. Në atë sezon, Alexander-Arnold ishte një prej yjeve të rinj më premtues të futbollit europian, simbol i stilit ofensiv dhe shpirtit që e riktheu Liverpool-in në majat e kontinentit.

Kalimi i tij te Real Madridi, pas përfundimit të kontratës më 30 qershor, ndryshoi gjithçka. Pas 20 vitesh në klubin e kuq, nga akademia deri te fitimi i çdo trofeu të madh, vendimi për të mos rinovuar dhe për t’u larguar si lojtar i lirë u pa nga shumë tifozë si tradhti. Në fjalët e lamtumirës, Trent foli për “sfida dhe përvoja të reja jashtë shtëpisë”, por mënyra e largimit të tij la plagë të hapura te një pjesë e madhe e tifozërisë së ‘Reds’. Sonte, “Anfield” do të flasë. Dhe Trent Alexander-Arnold do të duhet të dëgjojë…

The post “Lamtumirë, miu”; vandalizohet murali i Trent Alexander-Arnold pranë “Anfield” appeared first on Telesport.