Edhe pse kanë kaluar dy muaj pas situatës me operacione të dyshimta kardiokirurgjikale, ende nuk ka asnjë epilog. Ministri i shëndetësisë, Azir Aliu, thotë se kanë ngelur edhe 7-8 materiale që po shqyrtohen, ndërkaq pas përfundimit zyrtar të procesit zgjedhor në vend, do të vijnë edhe tre ekspertë të huaj për të mbikëqyrur rastin.

“Kjo dinamikë e punës nuk varet nga ne vetëm si Ministri por nga i gjithë ekipi i ekspertëve të cilët nuk janë pak në numër e të cilët janë të ngarkuar shumë edhe me punë të përditshme, me shërbime ndaj pacientëve”, tha Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë.

Ka raste të paraqitjeve që nga viti 2010, tha drejtori i Fondit për sigurim shëndetësor Klekovski, dhe ato po analizohen detajisht nga aspekti administrativ deri te faza profesionale.

“Procesi nisi me një paraqitje mirëpo në ndërkohë kishte edhe paraqitje tjera për më shumë institucione. Pjesa më e madhe e paraqitjeve që erdhën në Fond ishin ankesa nga pacientët, e ku procedura duhej të kalohej fillimisht në aspekt të përpunimit administrativ e më pas përpunim mjekësor, kështu që procesi nuk është aq i shpejt siç duam të gjithë, sepse ka shumë faza të kontrollit të punëve”, pohoi Sasho Kllekovski – Drejtor I FSSH.

E në ekipin e ekspertëve vendas tashmë të formuar, të cilët po punojnë mbi rastin ka edhe doktor nga institucionet private. I pyetur se a mund të ndikojnë në procedurë, Aliu u pergjgij: 

“Unë besoj se ata janë ekspert, pa marrë parasysh a punojnë në atë institucion, nëse rasti është hapur dhe është e dukshme se nuk është bërë sipas protokolleve të caktuara, edhe ai që punon në atë institucion do të votojë pro”, shtoi Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë.

Kjo çështje u ngrit pasi doktori Sashko Kedev tha se Spitale private kanë kryer operacione kardiake pa nevojë. Këto dyshime të denoncuara nga vetë Klinika Kardiologjike, kanë bërë që Ministria e Shëndetësisë të ngre komision të posaçëm për të analizuar të dhënat e ndërhyrjeve kardiokirurgjikale dhe kardiovaskulare në periudhën nga janari 2022 deri në gusht 2025 në institucionet private dhe publike.