Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit organizojnë një debat publik për listën e re të propozuar të librave letrarë për arsimin fillor dhe ftojnë të gjitha palët e interesuara – mësuesit, shërbimet profesionale dhe faktorët e tjerë në arsim – “të përfshihen aktivisht në përcaktimin e një liste bashkëkohore, gjithëpërfshirëse dhe cilësore të librave, që do t’u përgjigjet nevojave reale të nxënësve dhe procesit mësimor”.
MASH në faqen e saj zyrtare ka publikuar listën e propozuar të librave, duke theksuar se nevoja për përditësim të kësaj liste vjen “nga synimi për përputhje të vazhdueshme të përmbajtjeve mësimore me qëllimet bashkëkohore arsimore, karakteristikat zhvillimore të nxënësve dhe kontekstin e tyre social e emocional”.
“Lista e propozuar është përgatitur mbi bazën e listës që zbatohej në mësim nga viti shkollor 2019/2020. Disa tituj janë hequr për shkak të lexueshmërisë së ulët, mos-përshtatshmërisë me moshën apo përmbajtjen. Për shkak të ndryshimeve në programet mësimore dhe lidhjeve ndërdisiplinore në mësim, disa vepra janë zhvendosur në klasa të tjera ose kanë marrë status të ri – nga të detyrueshme janë bërë zgjedhore dhe anasjelltas. Në propozim janë përfshirë vepra që trajtojnë tema bashkëkohore dhe të rëndësishme, si: identiteti dhe vetëbesimi, miqësitë dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore, jeta shkollore dhe bullizmi, sfidat emocionale dhe psikologjike, shumëllojshmëria kulturore, përfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Qëllimi është që nxënësit të lexojnë përmbajtje që janë të afërta me realitetin e tyre, por, shton MASH, “edhe mjaftueshëm të thelluara për analizë dhe interpretim simbolik, që nxisin të menduarin kritik, diskutimin dhe zhvillimin personal”.
Lista e propozuar e librave për lexim është e hapur për sugjerime për të gjitha klasat nga e dyta deri në të nëntën. Parashihet gjithashtu mundësia e përfshirjes së një vepre nga letërsitë kombëtare të të gjitha gjuhëve mësimore, me kusht që çdo vepër të përkthehet në të gjitha gjuhët zyrtare të mësimdhënies në Maqedoninë e Veriut.
Në njoftimin e MASH është publikuar edhe formulari për propozimin e një libri, i cili duhet të dërgohet më së voni deri në fund të këtij muaji (30 nëntor) në adresën elektronike të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit: bro.macedonia@bro.gov.mk.
The post Do të ndryshohen lektyrat në arsimin fillor, MASh fton për diskutim publik appeared first on Alsat.

