Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pas disa muajsh krize, qytetarëve po iu imponohet një qeveri e pakicës, me mandatimin e Glauk Konjufcës së Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e Qeverisë.

Ka thënë se janë vonë. Ka shtuar se qeveri të pakicës nuk mund të ketë më në Kosovë.

“LDK-ja rikujton se në demokraci, pakica nuk mund të qeverisë. Pakicës i thonë opozitë, jo qeveri. Në demokraci pakica nuk e ndan buxhetin, nuk miraton ligje”, ka thënë ai në një konferencë për media një ditë pasi presidentja Vjosa Osmani mandatoi Konjufcën, si mandatar të dytë pas dështimit të kryetarit të VV-së, Albin Kurti.

Ai ka thënë se Kosova duhet t’i kthehet sovranit. Abdixhiku e ka quajtur monarki propozimin e Konjufcës.

“Në monarki mandati trashëgohet, nga babai tek i biri, nga Albini te Glauku”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se në demokraci mandati sigurohet përmes votës qytetare.

“Nuk ka asnjë peshë zhvillimi i brendshëm në një parti politike. Për LDK-në ky proces është një lojë politike që ka për synim thellimin e krizës. Koha e axhamive politike ka marrë fund. Politikave të tilla duhet t’u dilet ballë. LDK-ja konsideron se çdo zvarritje e tillë e qëllimshme përbën zgjatje të krizës. Konjufca nuk ka shumicë”, ka thënë ai.