Ekipi i Shkëndijës është gati për një sfidë tjetër europiane, kundër Jagiellonias në Shkup, ku ndeshja me kampionin polak mund të jetë kyçe për rrugëtimin europian të kampionit të Maqedonisë në Ligën e Konferencës.

Trajneri Jeton Beqiri do të ketë të gjithë ekipin në dispozicion, me përjashtim të Vane Krstevskit i cili është i lënduar dhe për të cilin ky vit ka përfunduar. Ai e paralajmëroi ndeshjen në konferencën për shtyp, ku tha se ekipi i Tetovës do të ketë përballë një rival super-cilësor, të cilit ia lë rolin e favoritit.

“Normalisht që e kemi analizuar kundërshtarin, bëhet fjalë për një ekip jashtëzakonisht cilësor që vjen nga një ligë cilësore polake. Ata janë dominues në vitet e fundit, por ne luajmë mirë në Shkup. Jagiellonia është një favorit i vogël në letër, ne do t’ua japim rolin, por do të mundohemi të tregojmë lojë të mirë, të jemi në maksimumin tonë dhe në fund shpresojmë të kemi një rezultat të mirë. Pres një ndeshje ndryshe nga ajo me Shelbourne, sepse Jagiellonia ka një stil tjetër loje. Besoj se janë më cilësorë se Shelbourne, por kjo është një ndeshje, dhe në duele të tilla vendosin detajet e vogla. Nëse kemi përqendrim, nëse krijojmë raste dhe i shfrytëzojmë, mund të nxjerrim një rezultat të mirë.

Nga ajo që kemi analizuar, bëhet fjalë për një ekip kompakt, i cili është agresiv sidomos në mesfushë dhe në sulm. Kanë një presing të organizuar dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm në atë pjesë. Sa i përket formës, nuk janë në formën më të mirë sepse vijnë pas dy rezultateve negative, por kjo nuk do të thotë asgjë në futboll. Luajtën 1-1 si mysafirë kundër Strasbourg, gjë që flet mjaftueshëm për cilësinë. Kanë lojtarë për rotacion të gjatë, kjo na e vështirëson punën rreth analizës. Ne jemi të gatshëm dhe do të përpiqemi të realizojmë atë që kemi biseduar në stërvitje,” deklaroi Beqiri.

Ndeshja mes Shkëndijës dhe Jagiellonias luhet të enjtën, në Arenën “Todor Proeski” në Shkup, në orën 21:00. Ekipi polak ka katër pikë, ndërsa Shkëndija ka tri pikë të fituara falë fitores ndaj Shelbournit në Shkup.

The post Beqiri: Ndeshje ndryshe nga ajo me Shelburnin, Jagiellonia ka një stil tjetër të lojës appeared first on Alsat.