Maqedonia dhe Bullgaria kanë përcaktuar aktivitetet dhe detyrimet e ndërsjella për ndërtimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar në Korridorin 8 me marrëveshjen që sot nënshkruan zv/kryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, dhe homologu i tij bullgar, Grozdan Karaxhov, në stacionin hekurudhor Gjueshevo, përcjell TV21. Marrëveshja për përgatitjen, ndërtimin dhe operimin e tunelit – që do të shërbejë si pikë ndërkufitare për dy vendet në Korridorin 8 dhe do të sigurojë lidhje të drejtpërdrejtë hekurudhore mes Shkupit dhe Sofjes – u nënshkrua në praninë e përfaqësuesve të Komisionit Evropian, NATO-s, SHBA-së, Bankës Evropiane për Investime, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe Bankës Botërore. Në ceremoni mori pjesë edhe ambasadorja e SHBA-së, Angela Aggeler.

Tuneli i projektuar ka gjatësi rreth 2,4 kilometra, prej të cilave 1.189,30 metra ndodhen në territorin e Maqedonisë dhe 1.193,70 metra në atë të Bullgarisë.

“Ky marrëveshje është ëndërr e brezave të të dyja vendeve, diçka për të cilën kemi lexuar dhe mësuar që kur ishim fëmijë – që dy kryeqytetet, Sofja dhe Shkupi, duhet të lidhen me një lidhje hekurudhore,” tha zv/kryeministri Nikolloski në ceremoninë në Gjueshevo, stacioni më perëndimor dhe më i lartë i Bullgarisë, në 933 metra mbi nivelin e detit.

Karakxhov theksoi se ky është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe se realizohet ëndrra e shumë brezave. “Rihapim hekurudhën që ka mbi 100 vjet. Na ka rënë nderi që së bashku me Nikolloskin ta realizojmë këtë projekt,” tha Karaxhov.

Rruga hekurudhore Shkup–Sofje, ndërtimi i së cilës filloi në vitin 1994, po ndërtohet në tri faza. Sipas vlerësimeve të institucioneve përkatëse, kjo linjë pritet të rrisë transportin e mallrave mbi 30% dhe trafikun e pasagjerëve 20–25% gjatë viteve të para pas ndërtimit.

Pjesa e parë, nga Kumanova deri në Bellakovc, me gjatësi 30,8 kilometra dhe kosto prej 40,5 milionë euro, është përfunduar dhe rikonstruktuar. Ndërkohë, po ndërtohet dhe po rindërtohet segmenti Bellakovc – Kriva Pallankë, me gjatësi 34 kilometra dhe vlerë mbi 155 milionë euro, ku progresi i punimeve arrin 35%, dhe përfundimi pritet në fund të vitit 2026.

Për segmentin e tretë, nga Kriva Pallankë deri në kufirin me Bullgarinë, i cili do të përfshijë edhe tunelin ndërkufitar, është paralajmëruar shpallja e tenderit për zgjedhjen e kontraktorit muajin e ardhshëm. Ky segment ka gjatësi 23,4 kilometra dhe parashikon ndërtimin e 22 tuneleve, përfshirë tunelin ndërkufitar, si dhe 52 ura, dhe konsiderohet si sfida më e madhe.

Tenderi i mëparshëm, siç njoftoi qeveria e re në fillim të mandatit vitin e kaluar, u anulua, dhe vlera nga 340 milionë euro është rritur në 560 milionë euro.

Pas disa muajsh ngecjeje, Maqedonia dhe Bullgaria ranë dakord në nivel ministror në fund të qershorit për të përshpejtuar punimet për lidhjen hekurudhore. Më pas, më 16 korrik në Bruksel u mbajt takimi i delegacioneve të të dy vendeve, ku u identifikuan prioritetet, përfshirë edhe rifillimin e tenderit për segmentin hekurudhor nga Kriva Pallanka deri në hyrjen e tunelit ndërkufitar deri në fund të vitit nga Maqedonia.

Në krahun perëndimor të Korridorit 8, është planifikuar ndërtimi i hekurudhës nga Kërçova deri në Lin, për të cilin ekziston projekti i gatshëm. Qeveria gjithashtu ka paralajmëruar projektin për rikonstruksionin e linjës Shkup – Jegunovc – Tetovë – Gostivar – Kërçovë, me gjatësi 103 kilometra. Për këtë projekt, BE-ja ka dhënë një grant prej 5,3 milionë eurosh për studimin mjedisor, studimin e fizibilitetit dhe përgatitjen e dokumentacionit të tenderit. Parashikohet që brenda dy vjetësh të zgjidhet kontraktori i punimeve.