Kryeministri i kënaqur me raportin e BE-së, opozita: Është më i keqi në dhjetë vjet

Nëse i bëjmë ndryshimet kushtetuese do të jemi më të mirët, e pastaj do të marrim veto të re dhe do të kemi probleme të reja.

Ky ishte qëndrimi i kryeministrit Hristijan Mickoski duke komentuar raportin e Komisionit Evropian për përparimin e vendit, ku është theksuar se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë fare përpjekje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Mickoski megjithatë është i kënaqur nga vërejtjet në raport sepse siç thotë, vendi nuk po kthehet mbrapa.

“Ka ngecje në disa fusha, të gjithë e dimë dhe të gjithë e kemi diskutuar e ajo është sundimi i së drejtës, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe për këtë shkak vazhdimisht them se nevojiten ndryshime në Këshillin Gjyqësor në Prokurori e kështu me radhë”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Mickoski nuk mund të pajtohet me disa konstatime nga raporti se vendet e tjera të rajonit janë para Maqedonisë. Madje thotë se vendi në shumë fusha është shumë para Shqipërisë.

“Unë nuk mund të pajtohem me konstatimin se disa vende të tjera janë para nesh. Për shembull ne jemi shumë më përpara Shqipërisë kushtimisht thënë madje në tetë fusha jemi para Shqipërisë. Kështu që kur do të analizohet gjendja e shteteve cila është e gatshme dhe cila jo, vlerësimi objektiv është se Mali i Zi është e para, në vend të dytë jemi ne dhe Serbia e më pas vijnë Shqipëria, Bosnjë- Hercegovina, Kosova e kështu me radhë”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryeministër.

E derisa Mickoski është i kënaqur, nga LSDM-ja opozitare thonë se raporti e dëshmoi se kjo qeveri është e pa aftë dhe anti europiane.

“Komisioni Evropian jep vlerësime të qarta, të detajuara dhe objektive ku tregohen pasqyra reale për atë se ku e solli Maqedoninë qeveria e Hristijan Mickoskit, në ngecje, kthim mbrapa dhe paralizë të tërësishme institucionale. Ky është raporti më i keq në dhjetë vitet e fundit. Nuk ka përparim në asnjë fushë, reformat janë bllokuar dhe qeveria nuk ka vullnet e as kapacitet të punojë në interes të qytetarëve dhe shtetit”, thonw nga LSDM.

Në raportin për përparimin e Maqedonisë së Veriut që para dy ditësh e publikoi Komisioni Evropian, thuhet se vendi duhet të zbatojë reformat themelore që lidhen me Bashkimin Evropian, si dhe miratimin e ndryshimeve relevante kushtetuese që janë shënuar në konkluzionet e Këshillit nga 18 korriku 2022. Faktiditor.info