Papa Leoni priti të enjten në Pallatin Apostolik të Vatikanit presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, për të diskutuar nevojën urgjente për të ndihmuar popullsinë civile në Gaza dhe për të mbështetur zgjidhjen me dy shtete për t’i dhënë fund konfliktit në rajon.

Takimi, që zgjati rreth një orë dhe që u përshkrua si “i ngrohtë” në një komunikatë të Vatikanit, vjen thuajse një muaj pasi armëpushimi i negociuar nga Shtetet e Bashkuara në Rripin e Gazës hyri në fuqi.

“Gjatë bisedimeve u konstatua nevoja urgjente për t’i ofruar asistencë popullsisë civile në Gaza dhe për të arritur fundin e konfliktit përmes zgjidhjes me dy shtete”, thuhet në komunikatën e Selisë së Shenjtë.

Ati i shenjtë dhe Abbas nuk ishin takuar kurrë më parë. Të dy ata zhvilluan një bisedë telefonike në korrik, kur kreu i Kishës Katolike përsëriti nevojën për respektimin e ligjit ndërkombëtar, mbrojtjen e civilëve dhe objekteve të shenjta, si dhe ndalimin e përdorimit të forcës.

Presidenti izraelit Isaac Herzog e vizitoi Vatikanin në shtator, ku u takua me Papën përpara se të zhvillonte bisedime me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin dhe arqipeshkvin Paul Gallagher.

Ati i shenjtë dhe diplomatët e tij i thanë kreut të shtetit hebre se zgjidhja me dy shtete ishte rruga e vetme për t’i dhënë fund luftës, si dhe kërkuan një armëpushim afatgjatë në Gaza.

Qeveria izraelite e refuzon opsionin me dy shtete, me kryeministrin Netanyahu që insiston se krijimi i shtetit palestinez do të ishte një shpërblim për Hamasin, që ka kontrolluar Gazën për dy dekada.