
Ndonëse emri i Bekim Sali tanimë dy muaj me radhë lakohet si emër i mundshëm për zëvendës kryeministër të parë në vend të Izet Mexhitit, një gjë e tillë ende nuk është dakorduar mes partnerëve të koalicionit VMRO-DPMNE dhe VLEN. Bekim Sali është propozimi i VLEN-it por Mickoski thotë se fjalën e fundit e ka ai si mandatar i Qeverisë.
“Unë thash se e njoh dhe se kam mendim të lartë për të si person. Sa i përket lëvizjeve strukturore në Qeveri ne ende nuk kemi zhvilluar bisedime të tilla dhe në këtë moment gjithnjë jam i gatshëm të diskutoj për gjithçka por se diçka është dakorduar me VMRO-DPMNE-në si parti më e madhe politike në Maqedoni, në Parlament dhe në Qeveri, një gjë e tillë nuk është dakorduar. Por si person për Bekim Sali kam vetëm mendim të lartë”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski nuk zbuloi nëse zv.kryeministri i ardhshëm do të ushtrojë edhe funksionin ministër i ambientit jetësor. I bën me dije VLEN-it se VMRO-DPMNE është partia më e madhe politike.
“Se si më tej do të lëvizin gjërat unë thash, deri tani nuk është biseduar. Nuk them se nuk do të bisedohet, ndoshta do të bisedohet por duhet të mbajmë llogari se VMRO-DPMNE si parti politike është partia më e madhe në Maqedoni dhe se mandatar në këtë Qeveri jam unë, dhe është logjike që fjalën e fundit do ta kem unë”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Në prag të rikonstruimit të Qeverisë, koalicioni VLEN duhet të bëjë kalkulime të reja pasi nëse Bekim Sali propozohet për zv.kryeministër të parë duhet të jetë edhe ministër. Dikasteri i Ekologjisë mbetet në duart e LD-së së Izet Mexhitit. Në këtë rast, VLEN duhet të vendosë nëse Sali do të zëvendësojë ndonjërin nga ministrat e tjerë, në këtë rast të partisë së tij Alternativa, përkatësisht Orhan Murtezanin në ministrinë e Çështjeve Evropiane, apo ndonjërin nga ministrat e Aleancës së mbetur në VLEN, pasi Mickoski e bëri të qartë se dikastere shtesë për VLEN-in nuk do të ketë. /Alsat.mk

