Këshilli i Qytetit të Shkupit mbajti seancën e tij të parë konstituive. Seancën e drejtoi Risto Penov, ndërsa në fillim foli kryetari i ri i komunës, Orce Gjorgjievski, i cili theksoi se qëllimi i tij është ta shndërrojë Shkupin në një qytet shembull për pastërti, rend, transparencë dhe zhvillim urban modern. Në këtë seancë, me 23 vota pro, për kryetar të Këshillit u zgjodh Dame Dimitrovski, i cili në zgjedhje ishte bartës i listës zgjedhore të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit.

Në Këshill, VMRO-DPMNE ka 18 këshilltarë, ndërsa Levica, VLEN dhe BDI kanë nga 6 këshilltarë secila. LSDM ka 5. Nga një këshilltar kanë koalicioni “Përvojë për sukses”, ZNAM dhe listat qytetare “Të pavarurit së bashku” dhe “Qytet i gjelbër dhe human”. Në seancën e ardhshme, pika kryesore e rendit të ditës do të jetë ribalanci i buxhetit.

“Çdo qytetar ka të drejtë të dijë si merren vendimet, ku shpenzohen mjetet publike dhe si realizohen projektet. Do t’i hapim dyert për publikun, do të promovojmë qasje digjitale dhe transparencë në çdo hap të punës së Këshillit”, tha Dimitrovski./TV21