Gazetare: Ajnur Bafqari
Pas paralajmërimeve të Qeverisë, për emërimin e të besuarve të saj në krye të katër komunave ku për shkak të mungesës së cenzusit mbetën pa kryetarë, Partia Liberal Demokratike do të propozojë ndryshime në Kodin Zgjedhor, me çka do të kërkojnë që të besuarit, apo ushtruesit e detyrës në këto katër komuna të mos kenë mundësi të kandidohen për kryetarë komunash në zgjedhjet e përsëritura.
“Ndryshimet në Kodin Zgjedhorë që do t’i propozojë PLD kanë të bëjnë me atë që të besuarit e qeverisë të mos kenë mundësi të kandidohen në zgjedhjet e përsëritura për kryetarë komunash në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë. Këto ndryshime PLD do t’i propozojë që të mos ketë askush përparësi të padrejtë përpara kandidatëve të tjerë për kryetarë komunash“, tha Partia Liberal Demokratike.
Sipas kësaj partie, me këto ndryshime do të ulej mundësia për keqpërdorime në periudhën e përsëritjes së zgjedhjeve dhe do të mundësohej një garë e drejtë për të gjithë kandidatët
“Nëse miratohen edhe ndryshimet në kodin zgjedhor dhe bëhet kufizimi që të besueshmit të mos mund të kandidohen për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale në 4 komuna që nuk kanë arritur cenzus, do të mundësohen kushte të drejta për garë politike korrekte, të çliruara nga çdo dyshim për keqpërdorime shtesë dhe ndikime politike”, thonë nga Partia Liberal Demokratike.
Të pa suksesshme zgjedhjet lokale ishin në Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë e Rostushë. Në zgjedhjet që do të përsëriten në këto komuna, nuk do të vlejë censusi dhe nuk do të kenë mundësi që përsëri të dështojnë. Ndërkohë nga KSHZ refuzuan të gjitha 16 ankesat për procesin e votimit të rrethit të dytë dhe presin nëse dorëzuesit e ankesave do të ankohen edhe në Gjykatën Administrative. Ankesa pati për komunat Karposh, Shuto Orizare dhe Bërvenicë. Në Shuto Orizare u dorëzuan 13 ankesa prej të cilave dhjetë nga koalicioni “Maqedonia jote” e VMRO-DPMNE-së dhe tre nga “Lidhja e Romëve”. Dy ankesa pati nga koalicioni “Përvoja për sukses” në Karposh dhe një ankesë pati kandidati i VLEN në Bërvenicë, Haqim Ramadani./Alsat.mk
The post PLD kërkon ndryshime në kodin zgjedhorë appeared first on Alsat.

