Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu theksoi se sistemi shëndetësor i shekullit XXI nuk ndërtohet vetëm me mure, aparatura dhe procedura, por edhe me të dhëna, integrim, parashikim dhe infrastrukturë digjitale, përcjell TV21. Deklaratën ai e bëri gjatë hapjes së Panairit të Mjekësisë, Stomatologjisë dhe Farmacisë – Health Innovation Expo 2025, që po mbahet sot dhe nesër në Shkup, në organizim të Odës së Shëndetësisë Private të Maqedonisë.

Ministri Aliu theksoi se digjitalizimi po vendos bazën e një sistemi shëndetësor që mëson, analizon dhe reagon në kohë reale – një sistem që nuk pret problemet të shfaqen, por i parashikon dhe i parandalon ato.
“Ngjarje të tilla kanë shumë më tepër rëndësi se një takim i zakonshëm midis profesionistëve dhe institucioneve shtetërore. Ato tregojnë se të dhënat duhet të lëvizin bashkë me pacientin, jo pacienti me të dhënat. Ne do të punojmë në këtë drejtim. Mjekët do të kenë qasje të menjëhershme dhe të saktë në historinë mjekësore të çdo pacienti, ndërsa pacienti do të ketë kontroll, qartësi dhe siguri mbi të dhënat e veta shëndetësore”, tha Aliu.

Ai shtoi se ky model është i njohur globalisht dhe synon krijimin e një infrastrukture shëndetësore parandaluese, jo vetëm reaguese.
Ministri sqaroi gjithashtu se teknologjitë moderne jo vetëm që kujdesen për pacientët, por edhe për punonjësit shëndetësorë, duke mundësuar telemjekësinë – një formë konsultimi që e sjell shëndetësinë në çdo shtëpi. Pacientët me sëmundje kronike mund të ndiqen në kohë reale përmes sistemit digjital. Aliu shtoi se përdorimi i protokolleve digjitale, inteligjencës artificiale dhe algoritmeve të lidhura me sistemin shëndetësor mundëson zbulimin e hershëm të rreziqeve shëndetësore.

“Me digjitalizimin do të kemi më pak pritje për pacientët, më pak hospitalizime të panevojshme, dhe më shumë kujdes dhe dinjitet për ta. Për këtë arsye po punojmë në transformimin digjital të shëndetësisë, për të arritur standardizim si shtet, disiplinë dhe profesionalizëm si punonjës shëndetësorë, dhe për t’u shërbyer qytetarëve me ndershmëri dhe në kohë”, tha ministri.
Ai përfundoi duke theksuar se do të vazhdojë integrimi i të gjitha institucioneve dhe shërbimeve shëndetësore në vend, si dhe sigurimi i një dosjeje kombëtare elektronike për çdo qytetar.

