Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë akuzon pushtetin për dështim të politikave ekonomike. Sipas opozitës maqedonase faturën po a paguajnë qytetarët, të cilët çdo ditë po përballen me rritje të shpenzimeve për jetë. Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska thotë se pagat dhe pensionet nuk po arrijnë ta ndjekin rritjen e shpenzimeve për jetesë. Sipas saj është tragjike që VMRO-DPMNE-ja refuzon rritjen e pagave, ndërsa Mickoski nuk dëshiron as të dëgjojë për pagë minimale prej 500 eurove.
“Në Buxhetin për vitin 2026 nuk është paraparë rritje e pagës minimale në 500 euro, nuk janë paraparë as masa për uljen e çmimeve. Kjo do të thotë se gjatë gjithë vitit të ardhshëm qytetarët dhe punëtorët mund të presin jetë edhe më të shtrenjtë, ndërsa Qeveria nuk do të ndërmarrë asgjë. Tani është e qartë, VMRO-DPMNE-së i konvenon që qytetarët të jetojnë keq. Kjo është strategji për dobësimin e fuqisë së tyre ekonomike, për përhapjen e dëshpërimit. Qëllimi është që t’i dekurajojnë qytetarët dhe punëtorët që të kërkojnë rroga dhe të ardhura më të mira. T’i pranojnë politikat e standardit të ulët dhe fuqisë së lirë punëtore. Porosisim VMRO-në: LSDM-ja nuk do të heshtë, nuk do të heshtin as qytetarët”, tha Bogdanka Kuzeska, Zëdhënëse e LSDM-së.
The post LSDM akuzon pushtetin për dështim të politikave ekonomike appeared first on Alsat.

