Parlamenti i Izraelit ka miratuar në lexim të parë një projektligji që propozon dënimin me vdekje për ata që i konsideron terroristë që veprojnë kundër shtetit – një kërkesë që do të thotë se mund të përdoret vetëm kundër palestinezëve të dënuar për sulme vdekjeprurëse ndaj izraelitëve, raporton BBC.
Projektligji, i cili është dënuar nga Autoriteti Palestinez dhe grupet e të drejtave të njeriut, është mbështetur në Knessetin me 120 vende, me 39 vota pro dhe 16 kundër.
Ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, partia e të cilit “Fuqia Hebraike” solli votimin, ka festuar miratimin vonë të hënën duke shpërndarë ëmbëlsira.
“Pasi ligji të miratohet përfundimisht, terroristët do të lirohen vetëm në ferr”, ka thënë ai.
Projektligji duhet të kalojë edhe dy lexime të tjera përpara se të bëhet ligj.
Në të njëjtën seancë, Knesseti miratoi gjithashtu leximin e parë të një projektligji tjetër të diskutueshëm që i lejon qeverisë izraelite të mbyllë një media të huaj pa miratimin e gjykatës. Ky votim ishte 50 pro dhe 41 kundër.
Legjislacioni synon ta shndërrojë një urdhër të përkohshëm që lejoi mbylljen e Al Jazeera-s në pronësi të Katarit në maj 2024, në një ligj të përhershëm. Ky urdhër është kundërshtuar nga këshilltarët ligjorë të qeverisë.
Ndërsa dënimi me vdekje ekziston për një numër të vogël krimesh në Izrael, ai është përdorur vetëm dy herë që nga viti 1948 kur u krijua shteti. Herën e fundit kur është përdorur ishte kur krimineli nazist i luftës, Adolf Eichmann, u var në vitin 1962, pas një gjyqi publik.

