Michael Durkee, ish-këshilltari i Wesley Clark, është dëshmitari i rradhës në gjyqin ndaj ish krereve te UÇK në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ai e nisi dëshminë e tij pasditen e së mërkurës, për ta vijuar edhe këtë të enjte. Në fokus të fjalës së tij ishte koha e pasluftës në Kosovë.
“Perceptimi im, por edhe i UNMIK-ut dhe KFOR-it, ishte që refugjatët që po ktheheshin, të dëbuar nga forcat e Millosheviçit nga Kosova, në dimrin e egër ‘98-‘99, po ktheheshin në fshatrat e tyre dhe po shikonin se shtëpitë dhe pronat e tyre ishin shkatërruar, miqtë, shokët dhe fqinjët nuk ishin më aty.”
Ai tha se shqiptarët e kthyer në shtëpitë e tyre pas përfundimit të luftës, ndiheshin të tradhëtuar nga persona që ishin rritur bashkë me ta.
“Nëse shohim se çfarë ka ndodhur në pranverën ‘99, dhe veprimtaritë nuk kishin të bënin vetëm me kontrollin e qeverisë serbe, por edhe të grupeve paramilitare, të cilat ishin zhvilluar në popullsinë serbe në Kosovë. Dhe në shumë vende, këta banorë lokalë serbë jepnin informacion sa i takon se ku duhet të përqendroheshin forcat serbe. Kjo është dirigjuar kryesisht nga Ministria e brendshme serbe.”
Ai deklaroj se organizatat apo grupet kriminale ishin shumë kohë para nisjes së luftës, prandaj, sipas tij, dhuna që ndodhi në vend pas luftës nuk është se ndërlidhet patjetër me luftën.
“Sipas mendimit tim, dhe kjo mbështetet në informacionet që janë dhënë nga persona të punësuar në KFOR e UNMIK. Disa prej tyre ishin organizata ose grupe kriminale që kishin kohë që ekzistonin, dhe nuk është se kishin të bënin me luftën, por bëhej fjalë për konflikte mes grupeve të ndryshme armiqësore ndaj njëri-tjetrit.”
Edhe Durkee në dëshminë e tij theksoj se UÇK-ja nuk kishte një strukturë solide të konsoliduar komanduese.
I pyetur nëse Hashim Thaçi mund të ndalonte dhunën në atë kohë, ai u përgjigj: “Nuk kishte Hashim Thaçi kompetencë dhe autoritet për të ndaluar dhunën në atë kohë”.
“Ata janë përpjekur që të ndalojnë, çfarë kam parë, për të ndaluar dhunën që vazhdonte, por një pjesë e njerëzve organizoheshin në nivel lokal. Nuk kishte asnjë strukturë komanduese që do të ndalonte dhunën. Siç e kemi mësuar në takimin e parë me zotin Thaçi dhe të tjerët, objektivi i tyre kryesor ishte pavarësia e Kosovës, pra krijimi i një shteti të pavarur.”
I rradhës për të dëshmuar si dëshmitar i mbrojtjes së ish presidentit Thaci është gjenerali Wesley Clark.

