Diabeti mbetet një nga sëmundjet kronike me rritjen më të shpejtë të shekullit të 21-të, sipas Botimit të Njëmbëdhjetë të IDF Diabetes Atlas (2025). Sipas të dhënave, në vitin 2024, rreth 589 milionë të rritur jetonin me diabet në nivel global, që përfaqëson 11.1 për qind të popullsisë botërore të moshës 20 deri në 79 vjeç. Në Maqedoni, rreth 141 mijë njerëz jetojnë me diabet, që është 8.9 për qind e të rriturve, ose afërsisht çdo i njëmbëdhjeti qytetar i asaj moshe.

Atlasi tregon se rreth 43% e të rriturve me diabet në botë nuk janë të diagnostikuar. Kjo nënkupton se rreth 252 milionë njerëz jetojnë me diabet pa e ditur gjendjen e tyre, duke humbur mundësinë për ndërhyrje të hershme dhe parandalim të komplikimeve. Shtesë kësaj, 635 milionë njerëz kanë tolerancë të dëmtuar ndaj glukozës, ndërsa 488 milionë kanë glikemi të lartë esëll – gjendje që rrisin rrezikun për diabet të tipit 2 dhe sëmundje kardiovaskulare. Rreth një në pesë gra shtatzëna preken nga hiperglicemia gjatë shtatzënisë.

Diabeti është edhe një nga shkaqet kryesore të vdekjeve të parakohshme. Në vitin 2024, ai ishte përgjegjës për mbi 3.4 milionë vdekje mes të rriturve 20–79 vjeç – rreth 9.3% e të gjitha vdekjeve globale.

Atlasi tregon se barra ekonomike është po aq e madhe: shpenzimet direkte shëndetësore për diabetin për herë të parë kanë kaluar 1 trilion dollarë amerikanë, ose 12% të shpenzimeve të përgjithshme shëndetësore globale.

Edicioni i 11-të i Atlasit i kushton vëmendje të veçantë diabetit të tipit 1 në të gjitha grupmoshat. Në vitin 2024 vlerësohet se globalisht 9.1–9.5 milionë njerëz jetojnë me tip 1, prej tyre rreth 1.9 milionë janë fëmijë dhe adoleshentë nën 20 vjeç. Në kundërshtim me perceptimin e zakonshëm, shumica e personave me tip 1 (rreth 69%) janë të rritur të grupmoshës 20–59 vjeç. Në Evropë jetojnë rreth 2.7 milionë persona me tip 1 – numri më i lartë rajonal, falë mbijetesës më të gjatë dhe qasjes më të mirë në insulinë dhe kujdes.

Në Maqedoninë e Veriut rreth 938 vdekje në vit lidhen me diabetin
Sipas Atlasit, rreth 141 mijë persona në Maqedoni jetojnë me diabet – 8.9% e të rriturve. Prej tyre, rreth një e treta (afro 47 mijë) nuk e dinë se e kanë sëmundjen. Prevalenca e krahasuar është 7.4%, pak më poshtë mesatares evropiane prej 8%.

Sipas IDF, në vend jetojnë rreth 2.292 persona me diabet tip 1. Shpenzimet vjetore shëndetësore të lidhura me diabetin arrijnë në rreth 134 milionë dollarë amerikanë, ose rreth 953 dollarë për pacient, ndërsa vdekjet e lidhura me diabetin vlerësohen në afërsisht 938 raste në vit.

Sipas burimeve kombëtare, 112.000–135.000 persona janë të diagnostikuar me diabet: rreth 4.000 me tip 1, 40.000 me tip 2 në terapi me insulinë dhe 72.000–80.000 në terapi orale.

Insulina është falas për të gjithë pacientët me diabet, por rimbursimi për medikamente të tjera është i kufizuar. Pompat e insulinës dhe sistemet CGM aktualisht janë falas vetëm për fëmijët dhe një numër të kufizuar personash me tip 1 me komplikime të rënda (rreth 330 përdorues pompash dhe 600 përdorues CGM). Glukometrat dhe shiritat rimbursohen plotësisht vetëm për tipin 1; për tipin 2 me insulinë ka kufizime.

Programi Kombëtar për Diabetin dhe sistemi i prokurimeve publike financojnë insulinën, glukagonin, gjilpërat, shiritat, pompat e insulinës dhe sensorët CGM, me një buxhet prej rreth 16.1 milionë dollarësh për vitin 2024. Por vonesat në tendera kohët e fundit kanë shkaktuar mungesa serioze të glukometrave, shiritave, gjilpërave dhe materialeve harxhuese për pompat.

Për rezultate më të mira nevojitet forcim i regjistrave, qasje më e mirë në monitorim modern dhe kujdes multidisiplinar, si dhe zbatimi i plotë i Strategjisë Kombëtare për Diabetin. Gjithashtu, kërkohet një metodologji e re financimi dhe buxhetimi sipas modeleve rajonale.

Deri në vitin 2050 numri mund të arrijë në 853 milionë njerëz – 13% e popullsisë së rritur
Të dhënat tregojnë se diabeti po rritet në të gjitha rajonet e IDF-së, por me ritme të ndryshme. Në Afrikë pritet rritja më e madhe relative – 142% deri në vitin 2050 (nga 25 në 60 milionë). Në Rajonin e Paqësorit Perëndimor ka rreth 215 milionë të rritur me diabet – më shumë se një e treta e rasteve globale. Vetëm Kina përbën një në katër persona me diabet në botë.

Në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, rreth një në gjashtë të rritur ka diabet (rreth 85 milionë). Rritja e projeksionuar deri më 2050 është 92%. Në Evropë ka rreth 65.6 milionë raste në 2024, ndërsa deri në 2050 pritet të arrijë në 72.4 milionë. Amerika e Veriut dhe Karaibet kanë shpenzimet më të larta shëndetësore të lidhura me diabetin – 439 miliardë dollarë, ose 43% të shpenzimeve globale.

Sipas Atlasit, deri në vitin 2050 numri global i personave me diabet mund të arrijë 853 milionë, ose 13% të popullsisë së rritur. Pjesa dërrmuese e rasteve të reja do të paraqitet në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare, të cilat kanë sisteme shëndetësore më pak të përgatitura për sëmundjet kronike.

IDF Diabetes Atlas – një platformë globale me të dhëna për 215 vende
Atlasi global i diabetit i Federatës Ndërkombëtare të Diabetit (IDF) ofron të dhëna të krahasueshme për 215 shtete përmes një platforme të re online. Edicioni i 11-të thekson prioritetet kryesore: zbulimin e hershëm, parandalimin, forcimin e sistemeve shëndetësore dhe mbrojtjen e grupeve vulnerabël.

Dita Botërore e Diabetit shënohet më 14 nëntor çdo vit dhe është fushata më e madhe globale për ndërgjegjësimin ndaj kësaj sëmundjeje kronike. Ajo u iniciua nga IDF dhe OBSH, dhe në vitin 2006 u miratua zyrtarisht nga OKB. Dita shënohet në nder të ditëlindjes së Sir Frederik Banting, njërit nga zbuluesit e insulinës. Simboli i fushatës është rrethi blu, që paraqet unitetin në luftën kundër diabetit. Në Maqedoni organizohen aktivitete edukative, matje falas të sheqerit në gjak dhe tribuna publike për mbështetjen e pacientëve.