Gazetar: Suad Bajrami

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski i publikoi emrat e drejtorëve që do të udhëheqin me katër ndërmarrje të Qytetit të Shkupit. Ish nënkryetari i Kisella Vodës Ivan Mitrevski do të udhëheqë me Ujësjellësin dhe Kanalizimin, ndërsa Boris Nastov me Rrugët dhe Rrugicat. Në krye të Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik do të jetë Sashe, i cili sipas Gjorgjievskit është një punonjës me shumë përvojë në këtë ndërmarrje, ndërsa Higjienën Komunale do ta udhëheqë Dragi, një person me karrierë në sektorët e qytetit të Shkupit, i cili ka ndihmuar edhe në aksionin 72 orësh për pastrimin e qytetit.

Pavarësisht publikimit të emrave, nga Koalicioni VLEN thonë se sot kanë filluar bisedimet, ndërsa grupet e punës me VLEN-it dhe VMRO-së do të dakordohen. Jozyrtarisht përflitet emri i Florina Ahmetit të LD-së për drejtoreshë të Parqeve dhe Gjelbërimeve, megjithatë nga VLEN thonë se deri më tani asgjë nuk është vendosur. Jozyrtarisht nga VLEN për Alsat brifojnë se në matematikë mbeten ndërmarrjet publike Drislla, Parkingjet e Qytetit, Lajka. Megjithatë këto ndërmarrje janë më të vogla në raport me ndërmarrjet e tjera.

Rikujtojmë që gjatë periudhës së fushatës zgjedhore përflitej se VLEN ka arritur marrëveshje që në këmbim të mbështetjes së tyre të marrin dy ndërmarrje të mëdha, respektivisht Parqet dhe Gjelbërimet, por edhe të vendoset mes Higjienës Komunale ose Rrugët dhe Rrugicat.

Në rrethin e dytë zgjedhor, Gjorgjievski u mbështet publikisht nga kandidati i Shkupit nga radhët e VLEN-it, Bashkim Bakiu dhe kryetari i Çairit Izet Mexhiti. Marrëveshja u quajt hap i rëndësishëm për ndërtimin e një partneriteti institucional në dobi të qytetarëve të Shkupit me qëllim të zhvillimit të barabartë.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Gjorgjievski u prit nga eksponentët kryesor të VLENI-it në një tubim në Çair.

Mexhiti, asokohe shkruajti se në partneritet të ngushtë me Qytetin e Shkupit, do të punojnë që Çairi dhe Saraji të bëhen shembull i zhvillimit dhe bashkëpunimit të vërtetë. /Alsat.mk

The post Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski publiko emrat e drejtorëve të Ndërmarrjeve Publike  appeared first on Alsat.