Gazetar: Mihajllo Donev

Kryeministri Hristijan Mickoski premton pavarësi të plotë financiare për pushtetin gjyqësor, ndërsa buxheti që do të ndahet nga arka shtetërore për sektorin e drejtësisë do të bazohet në analiza të shembujve nga disa vende evropiane. Pushteti ekzekutiv, sipas fjalëve të kryeministrit, në të ardhmen do të kërkojë vetëm një gjë nga gjyqtarët, dhe ajo është përgjegjësia.

“Le të punësojnë vetë, le të avancojnë vetë, le të kujdesen vetë për të gjitha shpenzimet operative, le të japin paga vetë, brenda buxhetit që do të jetë përqindje si në disa shembuj që i kemi përcaktuar. Vetëm një gjë do të kërkojmë – përgjegjësi. Ja, ne si qeveri do ta bëjmë këtë, vetëm një gjë do të kërkojmë – përgjegjësi për çdo denarë të shpenzuar nga paratë e popullit”, tha Hristijan Mickoski- kryeministër.

Të njëjtën ditë kur kryeministri u zotua se gjyqtarët do të kenë buxhetin e tyre, reagon Këshilli Gjyqësor, Gjykata Supreme, si dhe Shoqata e Gjyqtarëve. Përmes një letre të hapur drejtuar Mickoskit thonë se deklaratat e mëparshme për punën dhe pagat e gjyqtarëve, përbëjnë sulme të paargumentuara dhe të përgjithshme.

“Komentet tuaja e kaluan kufirin e sjelljes së mirë dhe u shndërruan në sulme të paargumentuara dhe të përgjithshme. Raporti i fundit i KE-së thekson qartë se problemi më i madh është pavarësia e gjyqtarëve, e cila është minuar nga ndërhyrja e vazhdueshme e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Si problem kyç është theksuar pavarësia financiare, ndërsa pagat e gjyqtarëve janë vetëm një segment i saj”, thonë nga Këshilli Gjyqësor, Gjykata Supreme dhe Shoqata e Gjyqtarëve.

Mickoski refuzoi të komentojë letrën, duke theksuar se i lë qytetarët të thonë nëse janë të kënaqur me punën e tyre. Vetëm një ditë më parë kryeministri tha se gjyqtarët dhe prokurorët nuk i meritojnë pagat dhe se vetë po përgatisin reforma në gjyqësor me qëllim që t’i rrisin përsëri të ardhurat, diçka me të cilën ai nuk pajtohet se duhet të ndodhë. Në raportin e Komisionit Evropian për përparimin e vendit u theksua se pushtetit gjyqësor duhet t’i garantohet pavarësia financiare dhe buxhet prej 0,8 për qind të produktit të brendshëm bruto. /Alsat.mk

The post Mickoski: Do të kërkojmë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga gjyqtarët appeared first on Alsat.