Këtë rrugë çdo ditë nxënësit e Matkës detyrohen ta ecin në këmbë për të shkuar në shkollë.
“Jemi në fshatin Matkë të epërme, siç e shihni banorët e revoltuar dolën në shenjë proteste për mungesën e autobusëve. Ato të cilët kanë më tepër probleme janë nxënësit, për shkak se detyrohen të ecin në këmbë rreth 3 kilometra deri në fshatin tjetër në Gllumovë”.
Banorët ankohen se autobusët e NQP-së herë vijnë e herë nuk vijnë.
-Del nxënësi këtu pret 1 orë nuk vjen aspak! Patjetër ta dërgojnë ose me veturë dhe kur do të shkojë do të vonohet te shkolla, kush do ta arsyetojë.
-Deri ku ecin nxënësit, që po i dërgoni me veturë?
–Momentalisht deri në Saraj i dërgojmë. Më afër e kemi edhe Gllumovën, por ai autobusi tjetër, 60-shja tjetër, nuk ia dimë orarin, sepse ajo është për poshtë, me atë mundohemi ndonjëherë, domethënë prej te ushtria e lartë vijnë në këmbë.
Problem është edhe për pensionistët të cilët presin në stacion me orë të tëra, deri sa të kalojë ndonjë veturë.
-E shohim që nuk ka dhe shkojmë në këmbë, unë për vete jam pensionist nuk jam në punë, mirëpo tjerët udhëtarë që janë shkojnë në këmbë sepse ato vonohen edhe në punë, sepse nuk e dinë a do të vijë apo jo, dhe i kalon orari i punës, e ka problem edhe te puna, duhet të vijë autobusi në atë kohë 6 ose 5.
-Nuk e di çka është puna?! Gomë nuk ka, gryka nuk ka, këtë nuk e ka! Ti ke atje shef, drejtor, do të tregosh atje. Erdhi nipi në mëngjes, atje në Autokomandë në mjekësi mëson, në këmbë. Nuk shkon ashtu, nuk është një ditë, nuk e di çfarë është kjo!
-Ka pleq, ka të sëmurë që kanë nevojë të shkojnë teposhtë, ai që ka veturë që ka veturë shkon, por ato që nuk kanë vetura me çfarë do të shkojnë. Le të jetë 3 herë orari por rregullisht.
Pyetëm në Qytetin e Shkupit dhe në Ndërmarrjen e Qarkullimit Publik, por nuk morëm përgjigje.

