Një autobus që transportonte 46 pelegrinë myslimanë, përfshirë disa shtetas indianë, u përplas me një kamion cisternë dhe shpërtheu në flakë të dielën në mbrëmje pranë Medinës, Arabi Saudite, duke vrarë të paktën 45 persona.

Sipas raportimeve nga policia, vetëm një person arriti të shpëtonte nga automjeti që po digjej. Ndërkohë, nga të vdekurit, 23 persona ishin antar nga dy familje.

Në një deklaratë, ambasada indiane në Arabinë Saudite e përshkroi incidentin si “tragjike”, ndërsa autoritetet diplomatike të vendit u mobilizuan menjëherë për të ofruar mbështetje për pelegrinët e përfshirë.

Kryeministri indian, Narendra Modi, shprehu hidhërimin e tij për incidentin në një postim në X, duke shkruar:

“Jam thellësisht i trishtuar nga aksidenti rrugor në Medinë ku u përfshinë shtetas indianë. Mendimet e mia janë me familjet që humbën të dashurit e tyre. Lutem për shërimin e shpejtë të të gjithë të lënduarve. Ambasada jonë në Riad dhe konsullata jonë në Xheda po ofrojnë të gjithë ndihmën e mundshme”, është shprehur ai.

Ndërkohë, në mars të vitit 2023, një autobus që transportonte pelegrinë për në Mekë shpërtheu në flakë pas një përplasjeje në një urë, duke vrarë 20 persona dhe duke plagosur më shumë se 20 veta.

The post Autobusi përplaset me kamionin cisternë në Arabi, 45 persona të vdekur appeared first on Alsat.