Moti sot pritet të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe reshje lokale të herëpashershme. Në disa zona, reshjet do të jenë më intensive, me mbi 30 litra ujë për metër katror në 24 orë, shoqëruara me kushte për stuhi me bubullima dhe erëra të forta. Gjatë ditës do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga jugut, me shpejtësi mbi 60 kilometra në orë. Temperatura minimale do të jetë nga 8 deri në 12 gradë, ndërsa maksimalja nga 13 deri në 19 gradë Celsius.
Në Shkup, moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme, ndërsa në pjesë të luginës priten reshje të herëpashershme. Do të fryjë erë juglindore mesatare, me intensifikime të kohëpaskohshme. Temperaturat do të lëvizin nga 9 gradë minimalja deri në 16 gradë Celsius maksimalja.
Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), gjatë fundjavës moti do të mbetet i vranët me reshje të herëpashershme. Të shtunën reshjet do të intensifikohen, me mbi 30 litra ujë për metër katror në 24 orë dhe kushte për stuhi me erëra të forta dhe bubullima. Të dielën, me depërtimin e një mase më të ftohtë ajri, në zonat malore reshjet e shiut do të kalojnë në borë. Të hënën dhe të martën pritet stabilizim i motit, por temperaturat e mëngjesit do të bien ndjeshëm.
