Në gjysmën e parë të dhjetorit, në Shkup pritet të organizohet një protestë e gjerë qytetare në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po gjykohen në Hagë. Protesta do të mbahet në Sheshin “Skënderbeu” dhe pritet të mbledhë veteranë të UÇK-së dhe qytetarë nga vendi dhe rajoni.

Iniciativa për protestën vjen nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili, sipas burimeve brenda partisë, është koordinuar me organizatat e veteranëve të UÇK-së në Kosovë. Sipas tyre, Ahmeti, si një nga themeluesit e strukturave të UÇK-së në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, synon që protestës t’i japë karakter mbështetës dhe paqësor, nën moton “Drejtësi për Çlirimtarët”.

Në protestë pritet të marrin pjesë Shoqata e Veteranëve të UÇK-së e udhëhequr nga Fazli Veliu, si edhe Shoqata e Veteranëve të Luftës e Besim Hodës. Ky i fundit ka konfirmuar se do të jetë pjesë e protestës dhe, nëse kërkohet, edhe i organizimit, duke theksuar se qëllimi është mbështetja paqësore e ish-udhëheqësve që, sipas tij, po përballen me akuza të padrejta.

Njoftimi për protestën u konfirmua pasi Ahmeti zhvilloi një takim me përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Kosovës, ku u dakordësua mbajtja e një tubimi në Shkup si vazhdimësi e protestave në Prishtinë, Tiranë dhe Strasburg.

Protesta synon të shprehë mbështetje publike në prag të vendimeve të pritshme të Tribunalit të Hagës.