Shkrimtari Resul Shabani dhe studiuesi e publicisti Sevdail Demiri janë fituesit e sivjetshëm të çmimit shtetëror “22 Nëntori” që e ndan Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
Shkrimtari Shabani e përshkroi çmimin si kurorë të gjithë punës së tij letrare.
“Natyrisht që është çmim më i rëndësishëm më i çmueshëm, është kurorë e çmimeve meqë i referohet arsimit, armës kryesore dhe të vetme më të cilët luftojnë shkrimtarët për t’i ngritur përmendore të vogla por shumë të vlefshme për pasurimin dhe arsimimin e gjuhës sonë”, theksoi Resul Shabani – shkrimtar.
Studiuesi Demiri çmimin ia dedikoi nënës së tij të ndjerë, teksa theksoi se dinjiteti i saj ka qenë frymëzim i punës së tij.
“Këtë çmim ia dedikoj nënës sime të ndjerë e cila pa fajin e saj bashkë me familjen ishte viktimë e sistemit të kaluar duke vuajtur që në fëmijërinë e hershme nëpër kampet e internimit. Qëndresa dhe dinjiteti i saj kanë qenë gjithmonë frymëzim i jetës dhe punës sime”, u shpreh prof. dr. Sevdail Demiri – studiues, publicist dhe poet.
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi uroi për festën në emër të gjithë deputetëve, duke shkruar se kjo ditë shënon një nga momentet më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar, kur u vendosën themelet e alfabetit të unifikuar, duke i dhënë gjuhës shqipe forcën e përbashkimit dhe identitetit.
“Si Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë popull shtetformues dhe ku gjuha është vlerë e garantuar kushtetuese, e cilësoj gjuhën shqipe një element të pazëvendësueshëm të kohezionit tonë shoqëror. Përkushtimi im mbetet i qartë, që gjuha shqipe të trajtohet me dinjitet, barazi dhe respekt në çdo nivel institucional”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Çmimi “22 Nëntori” jepet si mirënjohjen për figura nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës ndërnjerëzore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të bashkësive, kulturave dhe feve të ndryshme.
