Vodno: Banorët ende përballen me grumbullimin e mbeturinave në disa lagje

Në disa lagje të Vodnos, banorët vazhdojnë të përballen me problemin e grumbullimit të mbeturinave. Edhe pse ndërmarrjet komunale kanë zbrazur një pjesë të shportave, shumë të tjera janë lënë plot, duke krijuar pamje të çrregullta dhe një erë të pakëndshme në zonë. Banorët janë të vetëdijshëm se shumë pak kohë na ndan nga kaosi me mbeturinat me të cilat u përball Shkupi, por megjithatë presin që fjalët e premtuara të realizohen dhe çështja me mbeturinat të mos jetë më temë diskutimi.

“Tjetra pjesë lartë poshtë është e pastër, por konteinerët nuk e di çfarë është puna, a kanë apo nuk kanë automjete, mbeturinat nuk pastrohen çdo ditë, nuk vijnë kamionët… Siç ka thënë kryetari, kjo do të duhej të ishte, të themi punë e kryer, duhet të blihen pajisje, kamionë, që të kemi një organizim… dhe mendoj se do të duhet të rregullohet… Folën, e thanë fjalën, tani populli pret”, tha një qytetar.

“Po kam vërejtur, por megjithatë nuk e vlerësoj se nuk është bërë diçka. Sepse vlerësoj se nuk është e mundur të pastrohen të gjitha mbeturinat që janë grumbulluar me muaj, të mos them edhe vite. E kuptoj dhe jam realiste, se nuk mundet që tërësisht të pastrohet gjithandej…”, tha një qytetare.

Situatë e ngjashme paraqitet edhe në disa lagje të Karposhit, ku ndonëse shportat janë të zbrazura, hapësira përreth tyre është shndërruar në mini-deponi për shkak të mbeturinave të hedhura në mënyrë të pakontrolluar.

Numri një i Higjienës Komunale, Dragi Mitkovski, tha se do ta shqyrtoj këtë çështje, duke nënvizuar se po bëhen përpjekjet maksimale me kushtet që janë në dispozicion.

“Do ta shqyrtoj, po mundohemi që të bëjmë maksimumin që mundemi me këto kushte, pas asaj që është bërë, pra fiaskos totale të ndërmarrjes”, u shpreh Dragi Mitkovski, U.D Drejtor i “Higjienës Komunale”.

Banorët kërkojnë reagim më të shpejtë dhe më të rregullt nga shërbimet komunale, që ky problem i përsëritur të mos vazhdojë të ndikojë në higjienën dhe imazhin e lagjeve. /Alsat.mk