Dy vite pas breshërit në Pollog, bujqit ende pa dëmshpërblim nga Qeveria

Edhe pse po bëhen gati dy vite që kur breshëri shkatërroi një pjesë të konsiderueshme të të mbjellave në Pollog, Qeveria ende nuk ka lëshuar paratë për dëmshpërblimin e bujqve. Kjo zvarritje fillimisht nga ana e komunës së Tetovës përmes vonesave në kompletimin e dosieve e më pas edhe nga komisioni i shkallës së dytë pranë Qeverisë, ka bërë që bujqit këtë vit të përgjysmojnë të mbjelljet e tyre. Ndërkohë siç thonë ata, borxhet në barnatoret bujqësore sa shkon e iu rritet.

“Nuk na kanë paguar asgjë. Një herë çështja e dokumenteve nga komuna, pastaj Ministria se di se çka. Para zgjedhjeve na thanë se janë lëshuar të hollat por ende asgjë s’ka. Një vit e gjysmë-dy nuk na lëshuan, në kohë zgjedhjesh ishin gati, por edhe më tej s’ka askund s’janë. Dëm sa të duash na bën. Askush s’punon vetëm ikin njerëzit”, tha Osman Alili, bujk.

“Me financat tona krejt, nga xhepi e mbajmë. Sqarim nuk kemi kërkuar më sepse e njohim situatën, se si shkon situata. Kemi humb edhe besimin më, jemi kthyer gjithçka të bëjmë e mirëmbajmë me rezervat tona, nga fuqia jonë”, tha Imer Murati, bujk.

Nga komuna e Tetovës thonë se pagesat do të kryhen së shpejti. Sipas zëdhënëses së Komunës Besarta Ramadani, dosja për Tetovën ka kaluar edhe shkallën e dytë të komisionit qeveritar.

“Lënda që ka të bëj me vlerësimin e dëmeve nga 2024 sigurisht që është miratuar edhe nga Qeveria para ca kohë, dhe nga Qeveria njoftojnë se shpejtë qytetarët do marrin mjetet e tyre”, u shpreh Besarta Ramadani, Zëdhënëse e komunës së Tetovës.
Nga reshjet e breshrit dy vite më parë, më së shumti u dëmtuan të mbjellat e domates, preshit, patates dhe frutat, gjë që bëri edhe çmimet e qershisë apo mollës, të rriteshin deri në pesëfish./Alsat.mk