Tjetër podium për skiatoren shqiptare Lara Colturi në garat e Kupës së Botës për femra në ski. Në garën e sllallomit zhvilluar sot në pistën austriake të Gurgl, skiatorja kuqezi u rendit në vendin e dytë, duke replikuar rezultatin e 8 ditëve më parë në Levi.
Një tjetër paraqitje e jashtëzakonshme e skiatores 19-vjecare shqiptare, që valëvitit sërish flamurin kuqezi në garat e Kupës së Botës. Në tri gara që ka marrë pjesë këtë sezon, Lara Colturi është ngjitur dy herë në podium dhe po dy herë është renditur e dyta.
Pas dy zbritjeve, Colturi dha kohën e përgjithshme 1’49”34, duke qenë vetëm pas ikonës së këtij sporti, skiatores amerikane Mikaela Shiffrin, që sot korri suksesin nr.103 në karrierë (dha kohën 1’48”11). Për skiatoren shqiptare, ky është podiumi i pestë në karrierë.
Colturi u rendit në vendin e dytë edhe pas zbritjes së parë, me kohën 54”53. Ndërsa në zbritjen e dytë dha kohën 54”81, duke mbrojtur atë pozicion dhe duke u ngjitur sërish në podium. Një paraqitje mjaft e mirë e skiatores shqiptare, që po shkëlqen në pistat e Kupës së Botës.
Edhe një vit më parë në këtë pistë, Colturi u rendit po e dyta në këtë disiplinë pas Shiffrin, cka tregon se kjo është një pistë e dashur për të. Por forma e treguar në garat e para sezonale konfirmon se ky sezon do të jetë i jashtëzakonshëm për skiatoren kuqezi.
The post Tjetër podium për Lara Colturi, renditet e dyta edhe në garën e sllallomit në Gurgl të Austrisë appeared first on Telesport.
