Gazetar: Mihajllo Donev

Sot katër vjet nga 23 nëntori tragjik i vitit 2021, dita kur autobusi i agjencisë turistike “Besa Trans” u përfshi nga flakët pas goditjes në mbrojtëset anësore të autostradës “Struma” në Bullgari, ku humbën jetën 45 pasagjerë, mes tyre edhe 12 fëmijë. Vetëm shtatë persona arritën të dilnin të gjallë nga autobusi që digjej. Autobusi po kthehej nga Stambolli drejt Maqedonisë, kur, për vetëm një çast, ardhja në shtëpi pas udhëtimit u shndërrua në makth, me të cilin familjet e viktimave nuk mund të pajtohen as sot. Një vit pas aksidentit, në Maqedoni filloi procesi gjyqësor kundër pronarit të “Besa Trans”, Bekim Haxhiu, i akuzuar se autobusët e kompanisë kalonin kufijtë me kopje të falsifikuara të licencave për transport ndërkombëtar. Megjithatë, pavarësisht provave të prokurorisë, Haxhiu deri më sot nuk ndodhet në burg.

Pas dy vjetësh gjykim, Gjykata Penale vitin e kaluar solli aktgjykimin e shkallës së parë – dënim me 20 muaj burg për Haxhiun, por vetëm disa muaj më vonë Apeli e anuloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ktheu rastin në rigjykim. Më 2 korrik 2025 procesi gjyqësor kundër Haxhiut, si i akuzuari i parë, filloi nga e para, dhe në fjalën hyrëse ai sërish u deklarua i pafajshëm për veprën që e ngarkon prokuroria , falsifikim të licencës për transport ndërkombëtar.

Nga korriku e deri sot u shtynë edhe dy seanca të tjera, ku e fundit u shty për shkak të mungesës së gjyqtarit Ivica Stefanovski, ndërsa seanca e radhës është caktuar për nesër, vetëm një ditë pas shënimit të katërvjetorit të aksidentit të madh rrugor.

Aksidenti me Besa Trans nuk është i vetmi në vend për të cilin, edhe pse ka pasur proces gjyqësor që ka zgjatur me vite, rasti ende nuk është sqaruar plotësisht. I tillë është rasti me tragjedinë te Llaskarcë, ku në aksidentin e autobusit humbën jetën 16 pasagjerë, e ku, megjithëse ka aktgjykime të formës së prerë me burg për tre persona, pas grilave ndodhet vetëm shoferi i autobusit.

Pronari i kompanisë “Durmo Turs”, Durmish Beluli, kërkoi shtyrje të vuajtjes së dënimit për shkak të sëmundjes, ndërsa personi përgjegjës për transportin, Remzi Miftari, është i pakapshëm për organet e ndjekjes për të vuajtur dënimin 10-vjet burg, pasi më herët edhe ai mori shtyrje të vuajtjes së dënimit po ashtu për shkaqe shëndetësore./Alsat.mk

The post Katër vjet më vonë – Maqedonia ende vajton për 45 viktimat e aksidentit me autobusin e Besa Trans në Bullgari appeared first on Alsat.