Zyrtarët ukrainas dhe amerikanë ndodhen në Gjenevë këtë të diel, për bisedime emergjente mbi draft planin e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës.

Plani 28-pikësh që rrodhi në media javën e kaluar, po shihet gjerësisht si i favorshëm për Moskën, pasi përfshin propozime të cilat Kievi i ka përjashtuar më herët.

Por, ndërsa në Gjenevë vazhdojnë diskutimet, presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar publikisht Volodymyr Zelenskyn përmes një postimi në platformën Truth Social.

Trump, gjithashtu tha se trashëgoi nga Biden një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë dhe që është humbje për të gjithë.

 “Lidershipi i Ukrainës nuk ka shprehur asnjë lloj mirënjohjeje për përpjekjet tona, dhe Evropa vazhdon të blejë naftë nga Rusia. Unë trashëgova një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë, një luftë që është humbje për të gjithë, veçanërisht për milionat e njerëzve që kanë vdekur pa nevojë”, shkruan Trump.

Pak më parë, presidenti Zelensky tha në X se ai ka zhvilluar një bisedë të përbashkët me kryeministrat e Kroacisë dhe Luksemburgut dhe i ka informuar ata për “punën tonë diplomatike mbi propozimin amerikan dhe takimet në Gjenevë”.

“Ne po presim një rezultat që do të hapë rrugën drejt një paqeje të vërtetë dhe të qëndrueshme,” tha ai.

Ai shtoi se është “mirënjohës ndaj çdo lideri dhe ndaj të gjithëve në mbarë botën që e mbështesin Ukrainën dhe qëndrimet tona parimore.”