Opozita ngrit akuza të reja për skandalin e programit IPARD 3

Opozita me akuza të reja për skandalin me programin IPARD 3. LSDM pretendon se Ministria e Bujqësisë nuk u tregon bujqve se sa kohë do të zgjasë pezullimi i këtyre fondeve, pas bllokimit të programit pasi drejtori i Agjencisë pagesore u arrestua për marrje ryshfeti. Ndërsa opozita akuzon për mungesë transparence, nga Qeveria thonë se kjo nuk është e vërtetë dhe paralajmërojnë se Ministria e Bujqësisë, por edhe organet hetimore që tashmë po e udhëheqin rastin për këtë skandal, do ta informojnë me kohë opinionin për rezultatin e procedurës.

“Nuk ka asnjë fjalë për arsyet, nuk ka asgjë për kohëzgjatjen e pezullimit të mjeteve nga IPARD, nuk ka as informatë për hapat e planifikuar për tejkalimin e këtij problemi serioz. Një hiç i madh. Tripunovski dërgon korniza të përgjithshme ligjore, citate nga rregulloret dhe procedura që janë të njohura prej kohësh dhe nuk japin përgjigje për pyetjet kyçe që i preokupojnë bujqit. Ky veprim i paskrupullt është fyerje direkte, tallje me 3.000 biznese të reja, me 10.000 vende të mundshme të reja të punës; ky është nënvlerësim i dëmit prej 130 milionë eurosh”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së:.

“Opozita është ajo që ka funksionuar në mënyrën për të cilën akuzojnë se dikush tjetër vepron, kështu që besoj se po i nxjerrin qëndrimet nga veprimet e tyre të mëparshme. Unë absolutisht e hedh poshtë pretendimin se diçka po fshihet lidhur me këtë procedurë, e dini që ne jemi maksimalisht transparentë, prandaj pres që edhe Ministria e Bujqësisë, por edhe të gjitha organet kompetente që tashmë po udhëheqin procese jashtë ekzekutivit, e që janë organet gjyqësore, të japin informacionet e tyre lidhur me gjendjen”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë./Alsat.mk