Kandidati i partisë SNSD, Sinisha Karan, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale në Republikën Srpska.

Sipas të dhënave partiake, pas përpunimit të 95.61% të vendvotimeve, Karan kryeson me rreth 8.500 vota ndaj kandidatit kundërshtar, Branko Blanuša.

Karan u bë kandidat i SNSD-së pasi liderit të partisë, Milorad Dodik, iu ndalua të kandidojë.

“Kjo është një fitore e madhe. Ky rezultat është dëshmi se qeveria ka mbështetjen e popullit. I uroj Sinisha Karanit për zgjedhjen si president i Republikës Srpska” deklaroi Dodik.

Ai theksoi se Republika Srpska tani do të kërkojë kthimin e të gjitha kompetencave të konfiskuara.

“Kërkojmë që të gjitha kompetencat të na kthehen, dhe Sinisha Karan do të punojë për këto çështje si profesor i së drejtës kushtetuese. Unë do të punoj me shumë këmbëngulje në detyrat organizative për të mbledhur mjaftueshëm vota që të imponojmë zgjidhje dhe të marrim atë që na takon sipas Marrëveshjes së Dejtonit” tha Dodik.

Karan është një person shumë i afërt me Dodikun. Ai është ministër aktual i zhvillimit shkencor-teknologjik dhe arsimit të lartë në Republikën Srpska. Ka lindur në vitin 1962 në Grabovac, ndërsa shkollën fillore dhe të mesme i ka përfunduar në Kupres. Ka diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë dhe ka kryer studimet master në Fakultetin Juridik në Banja Luka.

Karrierën e ka ndërtuar në sektorin e sigurisë dhe administratës. Ka qenë shef dhe ka udhëhequr departamente të hetimeve kriminalistike dhe raportimeve financiare në Agjencinë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje të Bosnjë e Hercegovinës./TV21