Varësia e Evropës nga tregtia ndërkombëtare e ka bërë atë të prekshme, veçanërisht pas trazirave globale të shkaktuara nga administrata e Donald Trump, paralajmëron Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde. Ajo thotë se partnerët kryesorë që e kanë ndihmuar Evropën të lulëzojë në dekadat e fundit tani po ndryshojnë prioritetet e tyre tregtare dhe Brukseli po dështon të përgjigjet.
Ekonomia evropiane po shkon drejt një bote që po zhduket gradualisht, thotë Lagarde.
Ajo shpjegon se Trump ka udhëhequr një ndryshim global nga globalizimi në proteksionizëm, duke vendosur tarifa të larta mbi partnerët e tij tradicionalë tregtarë. Në të njëjtën kohë, Kina po përdor dominimin e saj në prodhimin e mineraleve kritike për të ushtruar presion mbi marrëdhëniet tregtare.
Evropa nuk ka arritur të zgjidhë problemet e veta. Në vend të kësaj, politikëbërësit kanë lejuar që dobësitë e saj të gërryejnë në heshtje rritjen, ndërsa çdo tronditje e re na shtyn në një trajektore më të ulët. Tregu ynë i brendshëm ka ngecur, veçanërisht në fushat që do të formësojnë rritjen e ardhshme, siç është teknologjia dixhitale dhe inteligjenca artificiale, si dhe fushat që do ta financojnë atë, siç janë tregjet e kapitalit, paralajmëroi Lagarde në një kongres bankar në Frankfurt.
Ajo paralajmëron se Evropa së shpejti do të përballet me një “rreth vicioz” të kursimtarëve të saj që investojnë para në aksione amerikane, duke ndihmuar ekonominë amerikane të rritet më shpejt. Kjo do ta shtyjë BE-në drejt një produktiviteti stagnues dhe një varësie edhe më të madhe nga vendet e tjera.
Si avantazhe të rralla të Evropës, ajo theksoi tregun e punës elastik, rritjen e investimeve dixhitale dhe shpenzimet e mbrojtjes, të cilat kanë kompensuar disi ngadalësimin ekonomik.
Receta e Lagarde për rimëkëmbje është ulja e barrierave tregtare midis anëtarëve të BE-së, të cilat sipas analizave të BQE-së janë ekuivalente me një tarifë 100% për shërbimet dhe 65% për mallrat. Ajo gjithashtu bëri thirrje për votim me shumicë të kualifikuar për taksat për të parandaluar bllokimet e vetos.
The post BE-ja po ndërton një ekonomi për një botë në zhdukje appeared first on Alsat.
