Raportet dikur miqësore mes Ramiz Lladrovcit dhe Sami Lushtakut, që vite më parë i quanin njëri-tjetrin bashkëpunëtorë të ngushtë, janë përkeqësuar dukshëm. Rivaliteti i tyre doli hapur në zgjedhjet lokale të vitit 2025, kur kryesia e PDK-së vendosi të kandidojë Petrit Hajdarin për kryetar të Drenasit – një vendim që shkaktoi pakënaqësi te Lladrovci, i cili e kishte drejtuar komunën për dy mandate.

Mesa duket, tensionet mes dy figurave të njohura të Drenasit e Skenderajt po tenton t’i zbusë Ali Ahmeti. Lideri i BDI-së vizitoi sot fillimisht Ramiz Lladrovcin në zyrën e tij, e më pas u takua edhe me Sami Lushtakun.

Sipas burimeve të Periskopit, Ahmeti po vepron si ndërmjetës për t’i afruar miqtë e dikurshëm, me synimin që të mbyllet kapitulli i përplasjeve shumëvjeçare.

Për vizitën e Ahmetit, Lladrovci u shpreh publikisht:
“Përgëzimet për fitoren në zgjedhjet lokale nga vëllai im, Ali Ahmeti, janë vlerë e shtuar. Sfidat gjatë dekadave në rrugën tonë të përbashkët na kanë forcuar. Të bashkuar, të fituar. Faleminderit, vëlla Ali!”

Përplasjet mes Lladrovcit e Lushtakut kishin marrë hov edhe pas zgjedhjeve të vitit 2021. Asokohe, Lladrovci e akuzonte Lushtakun se e kishte luftuar politikisht:
“Njëri prej njerëzve që më së shumti më ka luftu ka qenë Sami Lushtaku. Ai e ka inatin e madh”, kishte deklaruar ai.

Në anën tjetër, Lushtaku kishte reaguar ashpër, duke i mohuar akuzat dhe duke e sulmuar personalisht kundërshtarin e tij politik.

Përpjekjet e Ahmetit pritet të tregojnë në ditët në vijim nëse do të krijojnë terren për një pajtim apo të paktën një qetësim të situatës mes dy figurave të rëndësishme të PDK-së në Drenas e Skenderaj.