Një foshnjë 20-muajshe ka ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Kërçovës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fëmija ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk ka mundur të shpëtohet, njoftojnë nga spitali i Kërçovës.
Rasti është raportuar në Sektorin për Punë të Brendshme në Ohër, prej nga bëhet e ditur se ngjarja është paraqitur rreth orës 22:10.
“Më 23.11.2025, në ora 22:10, në Sektorin për Punë të Brendshme në Kërçovë është raportuar se në repartin e fëmijëve në Spitalin e Përgjithshëm në Kërçovë, në gjendje të rëndë shëndetësore ishte sjellë një foshnjë e lindur në vitin 2024, e cila, pavarësisht ndihmës mjekësore të ofruar dhe reanimimit të kryer, ka ndërruar jetë”, tha Stefan Dimovski- zëdhenës i SPB- Ohër.
Në një prononcim telefonik për TV21, drejtoresha e Spitalit të Kërçovës, Maja Cvetanovska Trajkovska, tha se bëhet fjalë për një fëmijë rreth 20 muajsh, i cili ka mbërritur në repart në fazë terminale.
“Gjatë ditës së djeshme rreth orës 22 në repartin për sëmundjet të fëmijëve ka ardhur një pacient rreth 20 muajsh, një vit e nëntë muaj në situatë shumë të rëndë fazën terminale para vdekjes nën shoqërimin e nënës dhe disa të afërmve të saj. Pacienti është nga Prilepi, megjithatë për momentin kanë qenë në Kërçovë, janë lajmëruar tek ndihma e shpejtë dhe nga Ndihma e shpejtë është dërguar në Repartin e fëmijëve dhe janë bërë të gjitha përpjekjet për dhe reanimacionin e fëmijës, por i njëjti për një kohë të shkurtër nderuar jetë”, tha Maja Cvetanovska Trajkovska, drejtoresh e Spitalit të Kërçovës.
Autoritetet po presin rezultatet e autopsisë, të cilat pritet të hedhin dritë mbi rrethanat e ngjarjes.
