Gazetar: Zekirija Haxhiu

Deputetja e LSDM-së Jovanka Trençevska alarmon se shteti nuk ka mjaftueshëm të holla për të paguar pensionet muajin e ardhshëm, respektivisht në fillim të dhjetorit. Në seancë për pyetje deputetësh, Trençevska theksoi se boshllëku në fondin pensional është mbi një miliard euro, respektivisht se kaq të holla do të duhet shteti të transferojë që të mund të paguhen pensionet çdo muaj. Norma nga e cila janë transferuar të hollat nga ministria drejt fondit për pagesë të pensioneve është realizuar 100% dhe se tani nuk ka më të holla në atë llogari thotë Trençevska.

“E vërteta është se në buxhetin e Ministrisë për Politikë Sociale nuk ka të holla për transferim deri te Fondi për Sigurim Pensional që të mund të paguhen pensionet në dhjetor. Pensionet duhet doemos të paguhen por duhet të tregoni se prej ku do t’i gjeni të hollat zv.ministër mbi 7 miliard denarë që të mund të transferohen te fondi e që të mund të paguhen pensionet”, tha Jovanka Trençevska – Deputete e LSDM-së.

Por zv.ministri i politikës sociale, Gjoko Vellkovski e demanton Trençevskën duke pohuar se pensionet do të paguhen në kohë dhe me rregull.

“Mos nxitni frikë se fondi pensional na qenka para kolapsi, se nuk do të kemi pensione më 1 dhjetor. Këto janë gënjeshtra dhe gjithçka do të demantohet për vetëm disa ditë nga sot kur do të paguhen ato pensione. Qytetarët le të jenë të qetë, pensionistët le të kujdesen për veten sepse pensionet më 1 dhjetor do të paguhen rregullisht madje në muajin mars do të kemi përsëri rritje”, deklaroi Gjoko Vellkovski – Zv.ministër i Politikës Sociale.

Trençevska akuzoi se kredia që mori Qeveria nga Hungaria ishte për të mbuluar deficitin në fond e të cilin siç thotë, për vetëm një vit e gjysmë e kanë rritur për mbi 50%. Me këtë siç tha Trençevska, rrezikohen pagesat e pensioneve edhe të pensionistëve të tanishëm edhe të atyre të ardhshëm. /Alsat.mk

The post Pyetje deputetësh/ Trençevska alarmon: Shteti nuk ka të holla për të paguar pensionet appeared first on Alsat.