Kreu i Fondit për sigurim pensional dhe invalidor Nikola Memov, thotë se nuk kanë propozuar te qeveria të rritet pragu për pensionim në vendin tonë. Aktualisht është 64 vjeç për burrat dhe 62 vjeç për gratë. Në intervistën për „Radio Evropa e Lirë“, Memov mbrojti vendimin për rritje lineare të pensioneve, duke argumentuar se me këtë mbrohet standardi i pensionistëve.
Por, nëse shikohen numrat e Entit Shtetëror të Statistikave për varfërinë në Maqedoni, pensionistët nuk janë në grupin e qytetarëve më të varfër. Grupi i parë janë të papunët, pastaj popullsia joaktive, më pas vijnë pensionistët dhe në fund, si më pak të varfër janë të punësuarit.
Por, nëse këto të dhëna kryqëzohen me tabelën për varfërinë para dhe pas transfertave sociale, shihet se 40 për qind e familjeve në maqedoni do të ishin nën kufirin e jetesës normale nëse nuk do të kishte transferta sociale dhe pensione. Pamja përmirësohet në mënyrë drastike pas pagesës së pensioneve, kur varfëria ulet për 15 pikë përqindjeje dhe arrin 25 për qind të popullsisë. Transferet sociale të tjera, përfshirë shtesat për fëmijë, kompensimet për mbrojtje sociale dhe ndihmën monetare për kategori të prekshme, e ulin varfërinë vetëm për 2,8 përqindjeje.
Në vitin 2023, sipas Statistikave, 22,2 për qind e qytetarëve dhe familjeve në Maqedoni ishin nën kufirin e varfërisë.
Këto të dhëna tregojnë se pensionet janë kryesisht një kategori sociale, dmth u mundësojnë familjeve ku ka një ose dy pensionistë të mos jenë të varfra.
Kreu i Fondit Pensional, Memov, në pyetjen e gazetarëve pse ëdhtë shkuar me rritje lineare të pensioneve, dhe nuk u zgjodh të ketë rritje më të madhe për pensionet më të ulëta, dmth për më të varfrit që janë 11,2 për qind e të gjithë pensionistëve, ndërsa të tjerët 88,8 për qind nuk janë në grupin e të varfërve, u përgjigj se kanë ndjekur kërkesat e Shoqatave të Pensionistëve.
Ndryshe, sipas Projekt-buxhetit për vitin 2026, për pagesën e pensioneve nga shtylla e parë, nga Fondi do të nevojiten mbi një miliard e 900 milion euro. Nga kontributet planifikohet të mblidhen mbi një miliard e 380 milion euro, dmth paratë që mungojnë në shumën prej 520 milion euro, do të sigurohen nga buxheti, nga tatimet dhe detyrimet e tjera që mblidhen.
