Shkëndija regjistroi edhe tre pikë të reja, duke e mposhtur Rabotniçkin me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e zhvilluar në Tetovë, në kuadër të xhiros së 15-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë.
Skuadra vendase e kontrolloi lojën që nga fillimi, ndërsa iniciativën e konkretizoi në pjesën e parë. Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi Fabrice Tamba, i cili shënoi për epërsinë 1-0, rezultat që në fund doli të jetë edhe vendimtar. Me këto tre pikë, Shkëndija mbetet në vendin e tretë, gjashtë pikë larg liderit Vardar dhe një pikë pas Strugës që renditet e dyta.
Për Rabotniçkin, kjo është disfata e dhjetë këtë sezon, rezultat që e mban skuadrën në pozitën e parafundit me vetëm shtatë pikë, në një situatë që po bëhet gjithnjë e më e vështirë.
