Me 15 minuta vonesë filloi seanca e sotme për tragjedinë në diskotekën “Puls”. Para hapjes së shqyrtimit kryesor, gjyqtarja Dijana Gruevska Ilievska e përmendi të akuzuarin Xhavahir Kamberi për një shkelje serioze të kryer gjatë qëndrimit në paraburgim.

Sipas informacioneve të dhëna në sallën e gjyqit, gjatë kontrollit në qelinë e Kamberit, u gjetën plot 13 telefona celularë dhe një laptop.

Kur gjyqtarja e pyeti për pajisjet e gjetura, Kamberi dha një justifikim të çuditshëm: “Unë i gjeta atje që kur hyra”, tha i akuzuari.

Gjyqtarja nuk e pranoi këtë shpjegim dhe iu përgjigj ashpër: “13 telefona celularë i gjetët ju? Ju lutem, e dini çfarë pason – izolim dhe masa të tjera.”

Shqyrtimi kryesor për tragjedinë në “Puls” filloi me deklarimet e të dëmtuarve. Të akuzuarit deklaruan se nuk ndjejnë faj.

I pari i akuzuar, Dejan Jovanov – Deko, deklaroi shkurt: “Nuk ndjej faj për veprën penale që më vihet në barrë.”

Ish-kryetari i komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, ishte më i hapur në kritika: “Ky është një akt akuzimi i konstruktuar. E kuptoj për çfarë akuzohem, por nuk mund të shmanget përshtypja se hetimi është selektiv.”

Ish-drejtori i DPMSH, Shaban Saliu, deklaroi se procesi është “i motivuar politikisht dhe pa bazë ligjore.”

Inspektori i ndërtimit, Ognjan Georgiev, tha se nuk kupton pse është aty: “Nuk kam asnjë faj dhe duhet të lirohem. Jam i akuzuar vetëm që të ketë më shumë njerëz në listë.”