Amir Rrahmani përzgjidhet në formacionin e vitit të Serie A

Mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani, është përzgjedhur në formacionin e vitit në Serinë A, duke qenë një ndër lojtarët vendimtarë të trajnerit Conte. Skuadra e tij, Napoli, po ashtu u vlerësua si ekipi më i mirë i sezonit të kaluar.

Amir Rrahmani është një ndër mbrojtësit më të mirë të kampionatit italian dhe kjo nuk ka nevojë për të listuar arsyet, pasi futbollisti i përfaqësueses së Kosovës e ka treguar këtë me performancën në fushë, duke u kthyer në një pikë mbështetje për Napolin. Jo vetëm kaq, por ai u zgjodh në formacionin e vitit në mbrëmjen gala të mbajtur të hënën.

Sa i përket formacionit më të mirë të sezonit të shkuar, në portë u zgjodh Svilar i Romës, ndërsa në mbrojtje ranë në sy Di Marco, Bastoni, Rrahmani dhe Dumfries. Në mesfushë u përfshinë Barella, Reijnders dhe McTominay, ndërsa treshja e sulmit përbëhej nga Kean, Retegui dhe kapiteni zikaltër, Lautaro Martinez.

Trofeu i skuadrës më të mirë, natyrisht, shkoi për Napolin, që u kurorëzua me titullin kampion, ndërsa trajneri Conte u vlerësua gjithashtu me një trofe të veçantë.

“Synimi ynë është të mbrojmë ‘Scudetton’, por nuk është e lehtë. Ka shumë skuadra të forta dhe jemi të gjithë aty për aty. Le të fitojë më i miri”, deklaroi Conte drejtpërdrejt nga ceremonia Gala.