Saxhide Muslija, 50 vjeçe, është gjetur e pajetë në banesën e saj në Pianello Vallesina, Monte Roberto (Ankona). Dyshimet e para të autoriteteve tregojnë se ajo është rrahur për vdekje nga bashkëshorti i saj, Nazif Muslija, gjithashtu 50 vjeç, i cili ndodhet në arrati dhe po kërkohet intensivisht nga policia italiane, transmeton Pa Censurê.
Sipas raporteve të mediave italiane, Nazif Muslija nuk ishte paraqitur në punë atë mëngjes dhe pronari i kompanisë, i shqetësuar, kishte shkuar në banesën e çiftit. Aty hasi karabinierët, të cilët kishin zbuluar trupin e pajetë të Saxhides.
Çifti më parë kishte kaluar një periudhë ndarjeje, por ishte rikthyer të jetonte së bashku. Megjithëse bashkëjetesa kishte rifilluar, dhuna në familje kishte qenë e vazhdueshme.
Gjatë këtij viti, Saxhide Muslija kishte raportuar disa herë dhunë dhe keqtrajtim nga bashkëshorti i saj. Nazif Muslija rezulton i dënuar më parë për dhunë në familje dhe vetëm në prill të vitit të kaluar ishte arrestuar pas një sulmi brutal ndaj saj. Në atë rast, ai kishte thyer derën e dhomës së gjumit me sëpatë, ndërsa Saxhide kishte shpëtuar duke kërkuar ndihmë tek fqinjët.
Aktualisht, Nazif Muslija konsiderohet i dyshuari kryesor për femicidin dhe është shpallur në kërkim. Policia italiane ka nisur një operacion të gjerë për lokalizimin e tij.
The post 50-vjeçarja nga Maqedonia e Veriut gjendet e vrarë në Itali dyshohet se është rrahur për vdekje nga bashkëshorti i saj appeared first on Alsat.
