Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në provincën e Ankonës, ku një grua 50-vjeçare me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut është gjetur e pajetë në banesën e saj. Dyshimet e para të hetuesve flasin për një rast të rëndë dhune në familje, ku autor i mundshëm konsiderohet bashkëshorti i viktimës, gjithashtu 50 vjeç, i cili është zhdukur që nga mëngjesi i sotëm dhe po kërkohet intensivisht nga autoritetet italiane.

Viktima, e identifikuar me inicialet S.M., prej një viti kishte raportuar disa herë pranë organeve kompetente se ishte dhunuar vazhdimisht nga bashkëshorti i saj N.M. Pikërisht punëdhënësi i saj ngriti alarmin, pasi ajo nuk ishte paraqitur në punë, çka çoi në ndërhyrjen e karabinierisë. Forcat e rendit e gjetën gruan të shtrirë në shtrat, me shenja të dukshme dhune të ushtruar me brutalitet.

Ndaj N.M. rëndojnë akuza të mëparshme për dhunë. Ai ishte arrestuar në prill pas një episodi ekstrem, ku dyshohet se kishte thyer derën me sëpatë duke akuzuar të shoqen për tradhti, ndërsa gruaja ishte detyruar të kërkonte strehim tek fqinjët. Ajo kishte deklaruar atëherë se dhuna fizike kishte nisur prej më shumë se dy vjetësh.

Megjithatë, në korrik, pas një marrëveshjeje gjyqësore, N.M. u la i lirë dhe çifti ishte rikthyer të jetonte sërish bashkë, pavarësisht historikut të dhunës.

Autoritetet italiane po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes dhe kanë shpallur në kërkim bashkëshortin, i cili dyshohet për feminicid. Hetimet vijojnë me intensitet, ndërsa komuniteti lokal është tronditur nga një tjetër episod tragjik i dhunës ndaj grave.