Zvicerianët refuzuan të shtojnë tatimet për të pasurit, teksa në shumë vende europiane diskutohen plane për të mbledhur të ardhura prej tyre dhe për të mbushur deficitet e thella në buxhete, një rrugë e shkurtër në dukje, por pa asnjë efekt pozitiv në plan afatgjatë.

Rreth 79% e votuesve hodhën poshtë nismën e Partisë së të Rinjve Socialistë, nga e majta radikale, e cila i propozon qeverisë një taksë ndaj të pasurve për trashëgiminë, tatimin me 50% për dhurimin e pronave dhe transferimin e pasurive monetare mbi 50 milionë euro.

Votuesit dëgjuan thirrjen e qeverisë për ta kundërshtuar, me argumentin se kjo do të shkaktonte një eksod të të pasurve, të cilët ndihmojnë në zhvillimin e ekonomisë përmes sipërmarrjeve të reja dhe hapjes së vendeve të punës.

Ndërsa për mbështetësit në minorancë, taksa ishte e nevojshme, pasi të pasurit nuk paguanin asgjë më shumë sesa tepricat e pasurisë.

Zvicra është vendi që zhvillon më shumë referendume, ndërsa votuesit shquhen për racionalitet në vendimmarrje.

Nisma për shtimin e taksave ndaj të pasurve muajt e fundit janë ndërmarrë edhe në Britani të Madhe, Francë e vende të tjera me vështirësi ekonomike.

Këto nisma rezultuan me largimin e shumë të pasurve, të cilët i kanë zhvendosur rezidencat e tyre në qendra financiare në lulëzim, si Abu Dabi, Dubai, Hong Kong e Singapor./tvklan