Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, mëngjesin e sotëm, ndërsa udhëtonte me automjetin e tij privat drejt Kavadarit ku mbahet kongresi i partisë, ka marrë një SMS për shkelje trafiku të konstatuar nga sistemi “Qyteti i Sigurt”. Sipas njoftimit, ministri ka qenë duke lëvizur vetëm 1 km/orë mbi shpejtësinë e lejuar, transmeton Monitor.mk

Toshkovski deklaroi se ky episod është shembulli më i mirë i mënyrës se si duhet të funksionojë shteti: sistemi vepron njësoj për të gjithë, dhe sa herë që regjistrohet shkelje, ndëshkimi pason pa marrë parasysh se kush ndodhet në automjet. “Nuk ka përjashtime, nuk ka selektivitet dhe nuk ka të privilegjuar”, tha ai.

Ai theksoi se drejtimi i automjetit është detyrë dhe jo privilegj, duke shtuar se vetëm kështu ndërtohet besimi dhe rritet siguria rrugore.

Sipas ministrit, qëllimi i sistemit “Qyteti i Sigurt” nuk është ndëshkimi, por vendosja e rregullit, disiplinës dhe shpëtimi i jetëve. Duke pasur parasysh numrin alarmant të viktimave në komunikacion, ai theksoi se para së gjithash duhet të jepet shembull personal. “Shteti do të jetë më i sigurt vetëm nëse ligjet vlejnë njësoj për të gjithë, përfshirë edhe ne që jemi përgjegjës për zbatimin e tyre”, përfundoi Toshkovski./monitor.mk/