Gazetar: Miki Trajkovski
Në vend që të shkojnë jashtë vendit, gjithnjë e më shumë të rinj inxhinierë të IT-së nga rajoni i Ohrit dhe Strugës vendosin ta ndërtojnë karrierën e tyre në vendin ku jetojnë. Arsye për këtë është fakti që një numër gjithnjë e më i madh kompanish të huaja nga kjo industri po hapin degë në qytetet jashtë Shkupit. Kjo është një nga profesionet më të paguara, por edhe më të kërkuara në Maqedoninë e Veriut. Pagat janë afër mesatares evropiane dhe lëvizin nga 1000 deri në 2000 euro. Një pjesë e studentëve madje hapin edhe kompanitë e tyre.
“Para 10 vjetësh, studentët e universitetit tonë të gjithë shkonin jashtë vendit, qoftë për specializim shtesë, qoftë për studime master apo doktoraturë, ndërsa në 3–4 vitet e fundit, me hapjen e më shumë kompanive të huaja në Maqedoninë e Veriut, ata po qëndrojnë këtu. Ky është hulumtimi i fundit që e kemi bërë. Nga studentët tanë, 70% qëndrojnë këtu”, tha Jasmina Andonovska – drejtoreshë e Qendrës së Karrierës .
“Një pjesë punojnë për kompani të huaja, pra si frilancerë, dhe paga është konkurruese me ato të jashtme. Në Maqedoninë e Veriut ekziston një hendek mjaft i madh në paga mes inxhinierëve IT dhe profesioneve të tjera, gjë që nuk është rast në Evropë. Pagat janë më pak a më shumë në nivelin evropian dhe mendoj se punojmë lokalisht, por marrim paga evropiane, dhe me standardin që e kemi në shtetin tonë mund të jetohet shumë mirë”, u shpreh Atanas Hristov – Profesor në Universitetin e Teknologjisë Informatike Ohër.
Disa nga inxhinierët e ardhshëm të IT-së megjithatë kanë dilema nëse të qëndrojnë në vend apo të shkojnë jashtë.
“Ideale do të ishte këtu, është e natyrshme që askush nuk dëshiron të largohet nga atdheu i vet dhe të shkojë diku tjetër vetëm për punë, por kjo është e vështirë të parashikohet, sepse bëhet fjalë për faktorë më të mëdhenj, pasi kjo është një luftë për mbijetesë”, tha Evgenija Puleska – studente.
“Mua më shumë më lind dëshira të vazhdoj jashtë vendit, sepse më pëlqen më shumë jeta atje”, tha Stefan Bosheski – student.
“Jemi të orientuar drejt rekrutimit të kuadrove të rinj. Qëllimi ynë është t’i mbajmë të rinjtë në Ohër”, theksoi Petar Bushoski – menaxher i kompanisë.
“Mendoj se kuadri që e kemi aktualisht mund të qëndrojë në Maqedoninë e Veriut, për arsye se kemi mjaft vende pune që po kërkojnë gjithnjë e më shumë aftësi të reja në punë, njohuri të reja”, tha Stefani Nedelkova Kuzmanova – menaxhere e kompanisë.
Për këtë arsye po rritet gjithnjë e më shumë interesi për të studiuar edhe në Universitetin për Shkenca dhe Teknologji Informatike në Ohër, veçanërisht në programin për inteligjencë mekanike dhe robotikë./Alsat.mk
The post Ohër-Strugë, shumë inxhinierë të IT-së largohen nga vendi appeared first on Alsat.
