E paqartë është nëse punonjësit e administratës gjyqësore nesër do të paraqiten në punë apo do të dalin në rrugë, pasi të premten këshilli gjyqësor-buxhetor mori vendim që të mos u paguhen shtesat në pagë. Kreu i sindikatës së punonjësve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave qytetare (SPOGJ), Tërpe Deanoski, për Alsat thotë se revolta tek këta punonjës është e madhe, veçanërisht sepse ndërsa ata nuk i marrin shtesat në pagë, gjykatësve, thotë, u paguhen madje edhe shpërblime.
“Përgjigjja më e thjeshtë për këtë është se do të shohim nesër si do të zhvillohen gjërat. Mund të them vetëm se revolta është e madhe pas vendimit të fundit të këshillit gjyqësor-buxhetor, ku u tha se të gjithë punonjësit në gjykata nuk do të marrin shtesa në pagë për muajin nëntor, me pagesë në dhjetor, pikërisht para këtyre festave të fundvitit. Edhe pse këshilli gjyqësor-buxhetor ka disa muaj që paguan shuma për vendime gjyqësore të fituara, për regres për pushim vjetor dhe për shpërblime jubilare”, deklaroi Tërpe Deanoski, kryetar i SPOGJ-it.
Sipas Deanoskit, këshilli gjyqësor-buxhetor justifikohet se nuk ka para për shtesat e punonjësve, ndërkohë që, nga ana tjetër, pretendon se gjyqtarëve u paguhen padrejtësisht kompensime jashtë pagës bazë.
“Shpjegimi i këshillit gjyqësor-buxhetor është se Ministria e Financave nuk ka dhënë fonde për ridestinim për shtesat e pagës, por fonde në buxhet kishte. Megjithatë, ato fonde, në vend që të shkonin tek punonjësit, siç thash, u përdorën për pagesën e vendimeve gjyqësore të gjyqtarëve. Megjithatë, duhet të theksoj se ato vendime, që kërkojnë gjithashtu regres për pushimin vjetor dhe shpërblime jubilare, nuk u takojnë atyre. Ato shtesa të pagës nuk janë për funksionarë, ndërsa gjyqtarët janë persona të zgjedhur dhe të emëruar në shtet dhe konsiderohen funksionarë”, tha Tërpe Deanoski, kryetar i SPOGJ-it.
Kjo nuk është hera e parë që administrata gjyqësore shpreh pakënaqësi për shkak të pagave të ulëta ose mospagesës së shtesave, dhe kështu para dy vitesh pakënaqësia kulmoi në rrugë, kur përmes një sërë protestash dhe bojkotimi të punës, punonjësit kërkuan paga më të larta. Sipas të dhënave të SPOGJ-it, në administratat e gjykatave në gjithë vendin ka nga 1.400 deri në 1.600 punonjës, ndërsa paga është nga 27.000 deri në 32.000 denarë. /Alsat.mk
