Kryeministri hungarez Viktor Orban, ka shprehur edhe një herë dakordësinë e tij me homologun amerikan Donald Trump, duke vënë në dukje se strategjia e re e sigurisë kombëtare e administratës amerikane tregon se Shtetet e Bashkuara e kuptojnë “rënien e shkallës kulturore” të Evropës.
Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë publikoi tekstin, i cili deklaroi se Shtetet e Bashkuara mund të rishqyrtojnë marrëdhënien e tyre me Evropën dhe se kontinenti po përballet me “zhdukje kulturore” dhe duhet të ndryshojë kursin.
Edhe pse teksti ka provokuar reagime në Evropë, Orban, i cili është gjithashtu një aleat i hershëm i Donald Trump, e përshkroi atë si “më të rëndësishmin dhe interesantin në vitet e fundit”. Uashingtoni, argumentoi ai, ka kuptuar se Evropa ka arritur në një “ngërç ekonomik” dhe se vlerat e saj, demokracia dhe tregu i lirë janë të gjitha në rrezik.
Sipas Orban, qeveria amerikane e kupton që Evropa duhet të rindërtojë marrëdhënien e saj me Rusinë “në një nivel strategjik”. Ai mban lidhje të ngushta me Moskën, pavarësisht pushtimit të Ukrainës.
“Amerika ka një pamje të saktë dhe të qartë të rënies së Evropës. Ata e shohin rënien në një shkallë kulturore, kundër së cilës ne në Hungari kemi luftuar për pesëmbëdhjetë vjet. Më në fund, ne nuk po luftojmë vetëm”, tha Orbán.
Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara i dhanë Hungarisë një përjashtim njëvjeçar nga sanksionet e SHBA-së për përdorimin e naftës dhe gazit rus, pasi Orban mbrojti kërkesën e tij për një përjashtim gjatë një takimi miqësor me Trump në Uashington.
